Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, se me veprimet e tyre kanë bërë që Kosova ta humbasë afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Duke folur pas zhvillimeve të fundit në Kuvend, Haradinaj tha se situata ka ndryshuar rrënjësisht pas skadimit të afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe se tani të gjitha partitë politike duhet të tregojnë kujdes në hapat e ardhshëm.
Sipas tij, vendi tashmë ndodhet në një fazë të re kushtetuese, e cila kërkon veprime të përgjegjshme nga të gjithë akterët politikë.
“Si të veprojmë më tutje duhet të kemi kujdes. Ne shkojmë në diskutim, afati kushtetues është djegur. Si do të veprojmë tutje është një punë e kujdesshme, sepse nuk është situata e njëjtë nga mesnata e mbrëmshme, pasi rendi kushtetues ka hyrë në një situatë të re”, deklaroi Haradinaj.
Ai theksoi se, sipas vlerësimit të tij, Kosova po përballet me një moment të rrezikshëm institucional dhe bëri thirrje që të mbrohet rendi kushtetues.
“Kemi hyrë në një situatë të rrezikshme. Duhet të bëjmë kujdes si Kosovë që rendi ynë kushtetues të ruhet”, u shpreh lideri i AAK-së.
Deklaratat e Haradinajt vijnë pasi Kuvendi nuk arriti të konstituohet brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Edhe në vazhdimin e fundit të seancës, Lëvizja Vetëvendosje nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit, ndërsa seanca u ndërpre sërish nga kryesuesi Avni Dehari.
Kriza institucionale ka thelluar përplasjet mes pozitës dhe opozitës, me partitë opozitare që akuzojnë Vetëvendosjen për shkelje të Kushtetutës dhe prodhim të qëllimshëm të krizës politike, ndërsa partia në pushtet insiston se po vazhdon përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve.

Be First to Comment