Pamjet nga aksidenti i rëndë që tronditi rajonin e Serres në Greqi kanë dalë në publik, ndërsa një video e regjistruar nga kamera e një kamioni ka kapur momentin e përplasjes fatale mes dy automjeteve.
Aksidenti ndodhi mëngjesin e së premtes në rrugën nacionale Amfipoli–Drama, pranë zonës së Paleokomit, ku humbën jetën një 43-vjeçare dhe djali i saj 21-vjeçar, të dy me origjinë shqiptare.
Sipas raportimeve të mediave greke, në aksident u përfshinë një automjet tip Volkswagen dhe një kamion. Përplasja ballore ishte tepër e fuqishme, duke bërë që dy personat që ndodheshin në veturë të humbnin jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të rënda.
Nga informacionet paraprake mësohet se automjeti drejtohej nga 21-vjeçari, ndërsa në ulësen e pasagjerit ndodhej nëna e tij. Ata ishin nisur herët në mëngjes për në vendin e punës, por udhëtimi përfundoi në tragjedi.
Pamjet e regjistruara nga kamera e kamionit, të cilat tashmë janë bërë publike, pritet të analizohen nga autoritetet greke për të përcaktuar me saktësi dinamikën e aksidentit dhe shkaqet që çuan në përplasjen fatale.
Sipas deklaratës së shoferit 56-vjeçar të kamionit, ai ishte duke lëvizur në korsinë e tij kur automjeti që vinte nga drejtimi i kundërt dyshohet se humbi kontrollin dhe hyri në korsinë e tij.
Ai ka deklaruar se tentoi të shmangte përplasjen, por nuk arriti ta evitonte atë.
Familja e viktimave, me origjinë nga Shqipëria, jetonte prej vitesh në zonën e Paleokomit dhe ishte e njohur në komunitetin lokal. Humbja tragjike e nënës dhe djalit ka shkaktuar pikëllim të madh te familjarët, miqtë dhe banorët e zonës.
Ndërkohë, drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime të lehta dhe është transportuar në Spitalin e Dramës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa videoja nga kamera e kamionit pritet të jetë një nga provat kryesore në përcaktimin e përgjegjësisë për ngjarjen.

Be First to Comment