Aksident tragjik në Prishtinë, humb jetën një person – një tjetër përfundon në spital
Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur sot në rrugën “Shkupi” në Prishtinë, ku një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar.
Sipas informacioneve fillestare, në aksident janë përfshirë dy vetura, ndërsa si pasojë e përplasjes janë shkaktuar pasoja të rënda.
Lajmin e ka konfirmuar për IndeksOnline zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Plana.
“Si pasojë e lëndimeve të marra, një person ka ndërruar jetë, kurse një tjetër ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. Njësitet e Trafikut të Kryeqytetit, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij aksidenti”, deklaroi Plana për IndeksOnline.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ekipet e emergjencës dhe hetuesit e trafikut, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Për momentin, autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e viktimës, ndërsa personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor.
Policia e Kosovës ka njoftuar se hetimet janë në zhvillim dhe se rrethanat e plota të aksidentit do të bëhen të ditura pas përfundimit të procedurave hetimore.

Be First to Comment