Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë mbledhur mbrëmjen e së premtes në objektin e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet brenda natës.
Sipas përfaqësuesve të këtyre partive, është kërkuar që seanca të nisë nga ora 22:30, me qëllim që procesi i konstituimit të Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, sipas deputetit të AAK-së, Bensik Tahiri, deputetët janë përballur me një situatë të pazakontë, pasi salla ku duhej të zhvillohej seanca rezulton të jetë e mbyllur.
“Dyert e sallës së Kuvendit, ku sonte do të mbahej seanca konstituive, janë të mbyllura. Administratën e kemi njoftuar me kohë, por siç shihet, salla është e mbyllur. Afati përfundon sonte”, deklaroi Tahiri.
Sipas tij, administrata e Kuvendit ishte njoftuar paraprakisht për kërkesën për mbajtjen e seancës, por deri në atë moment nuk ishte mundësuar hapja e sallës plenare.
Ky zhvillim vjen në orët e fundit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, ndërsa opozita po insiston që procesi të përmbyllet brenda afatit kushtetues.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga administrata e Kuvendit apo nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me pretendimet se salla e seancave plenare është mbajtur e mbyllur.
Zhvillimet e mbrëmjes pritet të kenë ndikim të rëndësishëm në ecurinë e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe në debatin politik rreth respektimit të afateve kushtetuese.

Be First to Comment