Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shtuar presionin ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për konstituimin e Kuvendit, duke mbajtur një konferencë për media në oborrin e Kuvendit dhe duke kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të thirret brenda ditës.
Në emër të LDK-së, deputetja Jehona Lushaku-Sadriu i bëri një ftesë publike subjektit të parë parlamentar që të thërrasë menjëherë vazhdimin e seancës, në mënyrë që Kuvendi të konstituohet brenda afateve të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.
“Dola këtu për t’i bërë një ftesë publike subjektit më të madh të Kuvendit të Kosovës për ta thirrur seancën ose vazhdimin e seancës konstituive me qëllim që Kuvendi i Kosovës të konstituohet sonte, brenda afateve kushtetuese”, deklaroi Lushaku-Sadriu.
Ajo tha se është shqetësuese që institucioni më i lartë ligjvënës ndodhet në një situatë ku, sipas saj, po vihet në pikëpyetje kushtetutshmëria dhe funksionaliteti i tij.
“Vërtet është për keqardhje që sillet institucioni më i lartë legjislativ në vend në një pozitë të tillë ku sfidohet edhe kushtetutshmëria edhe funksionaliteti, pamundësohet puna e deputetëve për çka kemi marrë legjitimitet për të përfaqësuar qytetarët në institucionin më të lartë të Republikës”, u shpreh ajo.
Deputetja e LDK-së theksoi se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues është i papranueshëm dhe se deputetët duhet të përmbushin detyrimin e tyre institucional.
“Prandaj, është e papranueshme që konstituimi i Kuvendit të Kosovës të mos ndodhë sonte. Ne si deputetë të LDK-së jemi këtu dhe po presim ftesën që, kurdo që thirret seanca, të bëjmë konstituimin e Kuvendit dhe të fillojmë funksionalitetin e institucioneve”, deklaroi Lushaku-Sadriu.
Në fund, ajo theksoi se krijimi i institucioneve nuk duhet të kushtëzohet nga marrëveshjet politike ndërmjet partive.
“Pavarësisht marrëveshjeve politike, është obligimi ynë që t’i japim Kosovës institucione”, përfundoi deputetja e LDK-së.
Konferenca e LDK-së u mbajt në një kohë kur procesi i konstituimit të Kuvendit vazhdon të jetë i bllokuar, ndërsa partitë politike mbeten pa marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.

Be First to Comment