Skip to content

Pasi LDK-ja e refuzoi, Kurti merr vendim tjetër që dridhë Lumirin e Ardian Gjinin!

Lëvizja Vetëvendosje i ka kthyer përgjigje letrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, duke e ftuar atë të rishqyrtojë vendimin për të mos u takuar dhe të pranojë ftesën për dialog politik.

Më herët gjatë ditës, Hamza i kishte dërguar letër liderit të LVV-së, Albin Kurti, në të cilën refuzonte ftesën për takim dhe ritheksonte se PDK-ja do të mbetet në opozitë gjatë kësaj legjislature. Ai kishte kërkuar gjithashtu që Kurti të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Në letrën e kthyer nga Kurti, ai shprehet i habitur me refuzimin e takimit nga kreu i PDK-së.

“Më duhet ta pranoj se nuk po e kuptoj pse të mos takohemi dhe t’i bisedojmë shumë gjëra shtruar për hir të institucioneve të Republikës dhe interesit të qytetarëve. Komunikimi ynë duhet të jetë politik e kolegjial nga afër dhe jo vetëm zyrtar e me letra nga larg. Sidoqoftë, unë po i përgjigjem qëndrimit që keni shprehur ju në letrën e sotme”, ka shkruar Kurti.

Lideri i LVV-së ka theksuar se e respekton vendimin e PDK-së për të qëndruar në opozitë, por ka nënvizuar se proceset e rëndësishme shtetërore kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha partive parlamentare.

“E respektoj pozicionin tuaj për të mbetur në opozitë. Mirëpo, edhe konstituimin e Kuvendit edhe zgjedhjen e Presidentit/es të ri/e duhet ta bëjmë të gjithë bashkë, siç e kërkon kushtetutshmëria tek e cila u betuam si deputetë të rinj dje”, thuhet në letër.

Kurti i është referuar edhe deklarimit të Hamzës se PDK-ja do të kontribuojë në konstituimin e Kuvendit, duke vlerësuar se kontributi real i kësaj partie duhet të shtrihet edhe në procesin e zgjedhjes së presidentit.

“Ju letrën e përmbyllni duke thënë se ‘PDK do të japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës’. Kontributi i juaj në këtë pikë është veçse propozimi i emrit për nënkryetar nga partia juaj, i cili apo e cila zgjidhet vetëm pasi të votojmë edhe ne për të. Kontribut real mund të jepni pikërisht te zgjedhja e Presidentit/es, e cila do të na i evitonte edhe një palë zgjedhje të panevojshme e të paarsyeshme, gjithsesi të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për ekonominë e vendit”, ka shkruar ai.

Në letër, Kurti ka bërë edhe një ofertë të re politike për PDK-në, duke propozuar një marrëveshje që do t’i siguronte kësaj partie drejtimin e Kuvendit të Kosovës.

“Meqë refuzoni të takohemi, më lejoni t’ua përsëris edhe njëherë ofertën tonë. Për qëndrimin tuaj në sallë dhe për pjesëmarrje në votimin për President/e të ri/e të Republikës jemi të gatshëm që ta bëjmë rokadën e nënkryetarit/es suaj të Kuvendit me kryetarin/en e Kuvendit nga ne. Ky do të ishte një kontribut i juaji me përfitim për PDK-në: udhëheqjen e njërës nga tri pozitat e larta politike shtetërore në Republikën e Kosovës”, thuhet në ofertën e Kurtit.

Në fund të letrës, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje i ka bërë sërish thirrje Bedri Hamzës për një takim të drejtpërdrejtë, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar dialogun në funksion të zhbllokimit të procesit të krijimit të institucioneve të reja.

Shkëmbimi i letrave mes Kurtit dhe Hamzës vjen në kohën kur Kosova po përballet me bllokadën e konstituimit të Kuvendit, ndërsa partitë politike vazhdojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje që do t’i hapte rrugë formimit të institucioneve të reja.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *