Skip to content

Kësaj radhe PDK nuk do të qëndrojë duarkryq, vjen goditja e fuqishme per Albin Kurtin!

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ashpër pasi vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit u caktua për të shtunën, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të rëndë të rendit kushtetues dhe mosrespektim të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në një reagim zyrtar, PDK shprehu shqetësimin se Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar të respektojë afatin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Sipas PDK-së, Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, afat i cili, sipas kësaj partie, përfundon sonte.

“Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë: Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore. Ky afat përfundon sonte. Në vend të respektimit të këtij detyrimi kushtetues, shumica parlamentare zgjodhi ta shpërfillë vendimin e Gjykatës dhe, përmes deputetit më të vjetër si kryesues i seancës solemne, e caktoi vazhdimin e seancës për nesër, pasi afati të ketë skaduar”, thuhet në reagim.

PDK vlerëson se ky veprim nuk përbën vetëm shkelje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por krijon edhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor.

“Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton fuqishëm këtë veprim, i cili nuk është vetëm shkelje e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor. Askush nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe aq më pak ata që kanë detyrimin e parë ta mbrojnë dhe ta zbatojnë atë”, thuhet më tej në reagim.

Partia e drejtuar nga Bedri Hamza ka drejtuar kritika të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit në detyrë dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke e akuzuar se po vendos interesat partiake mbi interesin shtetëror.

“Për fat të keq, edhe një herë po dëshmohet se Albin Kurti e ka vendosur vullnetin partiak mbi Kushtetutën e Republikës dhe interesin partiak mbi interesin shtetëror. Është për keqardhje që një subjekt politik, i cili ka marrë besim nga qytetarët për t’i krijuar institucionet e reja, po e mban peng Republikën e Kosovës për shkak të kalkulimeve të veta politike, duke e zvarritur krijimin e tyre dhe duke prodhuar pasiguri kushtetuese”, thekson PDK.

Në reagim, PDK rithekson se Kushtetuta nuk mund të jetë objekt interpretimesh politike dhe se respektimi i saj është themeli i rendit demokratik dhe juridik të vendit.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është çështje interpretimi politik, por themeli i rendit demokratik dhe juridik të shtetit. Prandaj, ashtu si në çdo rast kur është cenuar rendi kushtetues, edhe kësaj radhe PDK nuk do të qëndrojë duarkryq. Mbrojtja e Kushtetutës dhe e shtetit të së drejtës është detyrim ndaj qytetarëve dhe ndaj Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Në fund, PDK vlerëson se Kosovës i nevojiten institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim i Kushtetutës, duke shtuar se nuk mund të ketë demokraci funksionale nëse, sipas saj, vullneti i një partie vendoset mbi rendin kushtetues.

“Kosova ka nevojë për institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim të ligjit. Nuk ka demokraci funksionale aty ku vullneti i një partie vendoset mbi Kushtetutën e Kosovës. Për fat të keq, sot Albin Kurti sërish zgjodhi pikërisht këtë rrugë”, përfundon reagimi i Partisë Demokratike të Kosovës.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *