Skip to content

VIDEO – Pamje të rënda nga aksidenti ku humben jetën 3 Kosovarët që po ktheheshin në Gjermani

Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Gjermani, ku tre mërgimtarë nga Kosova kanë humbur jetën.

Ndonëse nuk dihet nëse kemi të bëjmë me rastin e njëjtë, mediat në Gjermani kanë raportuar të enjten për një aksident të rëndë ku një veturë ka rënë në hekurudhën nën autostradën A3 afër Nittendorfit në distriktin e Regensburgut. Tre persona kanë mbetur të vdekur, raporton Klankosova.tv.

Një zëdhënës policie, sipas medias gjermane “Bayerischer Rundfunk”, ka thënë se vetura ka dalë nga autostrada A3 në drejtim të Nurembergut për arsye që ende nuk dihen.

“Mjeti u rrëzua me shpejtësi poshtë një argjinature, duke u përplasur fillimisht në binarë të linjës hekurudhore që kalon poshtë autostradës. Në fund, makina ra në bregun e gjelbër pranë saj”, sipas zëdhënësit të policisë.

Tre kosovarët kishin qenë në Kosovë dhe në momentin kur ndodhi aksidenti po udhëtonin drejt Gjermanisë, ku jetonin. Udhëtimi i tyre përfundoi tragjikisht pas aksidentit të rëndë të trafikut, ku të tre humbën jetën.

Lajmi për vdekjen e tyre ka shkaktuar dhimbje të madhe në Komogllavë të Ferizajt, prej nga vinin viktimat. Familjarë, të afërm, miq dhe bashkëvendës kanë nisur të shprehin ngushëllime për humbjen e tre anëtarëve të familjes.

Veçanërisht e rëndë është bërë tragjedia nga fakti se në mesin e viktimave është edhe një 16-vjeçar, ndërsa aksidenti i mori jetën tre personave të së njëjtës familje.

Tahir Aliu ishte 61 vjeç, ndërsa bashkë me të humbi jetën edhe djali i tij, Gentiani, 34 vjeç. Viktima e tretë është Laurent Aliu, vetëm 16 vjeç.

Ajo që duhej të ishte një rrugë kthimi pas qëndrimit në Kosovë është shndërruar në tragjedi për familjen Aliu. Lajmi është përhapur me shpejtësi edhe në rrjetet sociale, ku qytetarë të shumtë kanë shprehur ngushëllime dhe solidaritet me familjarët e viktimave.

Gjatë muajve të verës, rrugët ndërmjet Kosovës dhe vendeve të Evropës frekuentohen nga një numër i madh bashkatdhetarësh, të cilët vijnë për pushime në vendlindje dhe më pas rikthehen në shtetet ku jetojnë dhe punojnë.

Udhëtimet në distanca të gjata shpesh zgjasin me orë të tëra dhe zhvillohen përmes disa shteteve evropiane. Tragjedia e fundit në Gjermani ka goditur rëndë komunitetin kosovar, veçanërisht familjen dhe bashkëvendësit e viktimave në Ferizaj.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *