Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka deklaruar se vendi ka nevojë për institucione të qëndrueshme dhe një qeveri funksionale, duke theksuar se PDK-ja është e gatshme të marrë një rol vendimtar në ndërtimin e ekzekutivit të ri.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mustafa vlerësoi se pas zgjedhjeve prioritet duhet të jetë krijimi i institucioneve që i shërbejnë qytetarëve, forcojnë shtetin dhe ruajnë partneritetin strategjik të Kosovës me aleatët ndërkombëtarë.
“Pas zgjedhjeve, Kosova ka nevojë për institucione të qëndrueshme dhe një qeveri funksionale. Politika duhet t’u shërbejë qytetarëve, të forcojë shtetin dhe të ruajë partneritetin strategjik me aleatët tanë”, ka shkruar ai.
Mustafa theksoi se PDK-ja është e gatshme të luajë rolin vendimtar në ndërtimin e qeverisë së re, duke shtuar se vendi ka nevojë për vizion të qartë, përgjegjësi dhe orientim euroatlantik.
“PDK-ja është e gatshme të luajë rolin vendimtar në ndërtimin e qeverisë së re, me vizion të qartë, përgjegjësi dhe orientim euroatlantik. Kosova nuk ka kohë për bllokada e eksperimente politike. E ardhmja kërkon stabilitet, institucione të forta dhe vendimmarrje të përgjegjshme”, u shpreh ai.
Në fund të reagimit të tij, Mustafa u bëri thirrje forcave politike që të lënë anash kalkulimet politike dhe të fokusohen në interesin e shtetit.
“Koha është për një qeveri normale. Koha është për Kosovën. Kosova duhet t’u largohet llogarive taktike dhe bllokadave politike, duke i dhënë përparësi ndërtimit të institucioneve funksionale dhe interesit shtetëror”, përfundoi ai.

Be First to Comment