Pas më shumë se tri dekadash pritjeje, shprese dhe sakrificash, Abuzer Doğan (65 vjeç) dhe bashkëshortja e tij Zeynep Doğan (59 vjeçe) kanë përjetuar momentin më të lumtur të jetës së tyre, duke u bërë prindër të dy vajzave binjake.
Historia e çiftit nga Adıyamani i Turqisë është bërë virale në rrjetet sociale dhe ka prekur zemrat e mijëra njerëzve, pasi ata nuk u dorëzuan kurrë përballë vështirësive, pavarësisht se pritën plot 34 vjet për ta realizuar ëndrrën e tyre.
Pamjet e familjes gjatë një vizite në Anıtkabir, së bashku me dy vajzat e tyre, janë shpërndarë gjerësisht në internet, duke u kthyer në simbol të shpresës dhe këmbënguljes.
Rruga drejt prindërimit ishte e mbushur me dhimbje. Në vitet e para të martesës, çifti humbi dy foshnja pas shtatzënive që përfunduan tragjikisht. Megjithatë, ata nuk hoqën dorë nga dëshira për të pasur fëmijë dhe vazhduan për vite me radhë të kërkonin trajtime mjekësore në qytete të ndryshme të Turqisë.
Për të përballuar shpenzimet e trajtimeve, Abuzer dhe Zeynep sakrifikuan edhe shtëpinë e tyre, duke investuar gjithçka në shpresën se një ditë do të bëheshin prindër. Pas një beteje të gjatë dhe shumë sfidash, ëndrra e tyre më në fund u bë realitet me lindjen e dy vajzave binjake.
Megjithatë, gëzimi i familjes u shoqërua edhe me një tjetër sfidë. Sipas mediave turke, pensioni i Zeynep Doğan dyshohet se ishte tërhequr për rreth dy vjet pa dijeninë e saj, pasi karta bankare kishte përfunduar në duart e një personi tjetër nga lagjja. Pas zbulimit të rastit, karta u bllokua dhe u zëvendësua, ndërsa Zeynep filloi ta tërhiqte vetë pensionin.
Pavarësisht dëmit financiar, Abuzer Doğan mori një vendim që preku opinionin publik. Ai refuzoi të paraqiste kallëzim ndaj personit të dyshuar, duke thënë se nuk dëshironte të rrezikonte sigurinë e familjes së tij.
“Nuk e di kush është. Zoti na ruajt, mund t’u bëjë dëm fëmijëve të mi”, u shpreh ai, duke theksuar se qetësia dhe siguria e vajzave të tij vlejnë më shumë se çdo shumë parash.
Historia e familjes ngjalli solidaritet të madh në Turqi. Pas publikimit të rrëfimit të tyre, qytetarë dhe organizata të ndryshme ofruan ndihmë. Fillimisht ishte planifikuar rinovimi i shtëpisë ku jetonin, por projekti u anulua pasi u konstatua se prona ishte në bashkëpronësi.
Në vend të kësaj, u vendos që familja të zhvendosej në një banesë të re, pranë shkollës së vajzave binjake, në një zonë më të sigurt dhe më të përshtatshme për rritjen e tyre.
Historia e Abuzer dhe Zeynep Doğan vazhdon të frymëzojë mijëra njerëz, duke dëshmuar se shpresa dhe këmbëngulja mund të triumfojnë edhe pas shumë vitesh pritjeje./JOQ


Be First to Comment