Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit do të bëhet sapo të arrihet një marrëveshje politike me partitë e tjera parlamentare, duke theksuar se synimi i tij është shmangia e zgjedhjeve të reja.
Pas përfundimit të seancës, Kurti u shpreh optimist se dialogu me subjektet politike do të vazhdojë dhe se një dakordim mund të arrihet në ditët në vijim.
“Kur ta kemi një marrëveshje, do ta vazhdojmë seancën. Do të bëjmë çdo gjë për të eliminuar zgjedhjet e dëmshme për qytetarët dhe buxhetin e Kosovës”, deklaroi ai.
Kurti u uroi punë të mbarë të gjithë 120 deputetëve të legjislaturës së re, duke shprehur shpresën se mandati i tyre nuk do të ndërpritet nga një proces i ri zgjedhor.
“Ju dëshiroj 120 deputetëve punë të mbarë e suksese me një legjislaturë e cila nuk do duhej të ndërpritej me zgjedhje të reja”, tha lideri i Vetëvendosjes.
Ai falënderoi edhe liderët e PDK-së dhe LDK-së, Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun, për, siç u shpreh, atmosferën konstruktive gjatë takimeve të zhvilluara deri më tani.
“E falënderoj në veçanti Hamzën e Abdixhikun për atmosferën në takime, ku kemi ndarë bashkë sfidat që i ka shteti ynë përpara”, u shpreh Kurti.
Në të njëjtën kohë, ai bëri të ditur se mbetet i interesuar për vazhdimin e dialogut me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa ftoi publikisht edhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, për një takim.
“Jam i interesuar të vazhdoj diskutimin me LDK-në dhe i bëj thirrje Ardian Gjinit që të takohemi e bisedojmë”, deklaroi Kurti.
Deklaratat e tij vijnë pasi seanca konstituive e Kuvendit nuk prodhoi zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke lënë të hapur procesin e negociatave politike për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Be First to Comment