Skip to content

Vjen një JO e madhe për Albin Kurtin

AAK ia refuzon ftesën Kurtit: Gjini vendos gjashtë kushte dhe thotë se nuk sheh arsye për takim

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i ka kthyer përgjigje kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke bërë të qartë se nuk sheh arsye për një takim në formatin e propozuar prej tij.

Përmes një letre zyrtare, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka refuzuar ftesën e Kurtit, duke theksuar se Aleanca nuk ka interes të bëhet pjesë e Qeverisë së Kosovës në asnjë rrethanë, por mbetet e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve vetëm nëse pranohen kërkesat e saj.

Gjini kujton se AAK-ja e kishte sqaruar qëndrimin e saj që në letrën e 9 korrikut 2026, ku kishte bërë të ditur se nuk synon të jetë pjesë e ekzekutivit, por është e gatshme të kontribuojë për shmangien e zgjedhjeve të reja dhe krijimin e institucioneve stabile.

“Në letrën kthyese të datës 9 korrik 2026, Aleanca e ka qartësuar pozicionin e vet sa i përket themelimit të institucioneve. Aty ju kemi bërë të ditur se nuk kemi kurrfarë interesi që të jemi pjesë e Qeverisë së Kosovës, në asnjë format”, thuhet në letrën e Gjinit.

Sipas tij, AAK-ja i ka paraqitur më herët gjashtë kërkesa që i konsideron me rëndësi jetike për vendin, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në letër, Gjini ka ritheksuar gjashtë pikat që, sipas Aleancës, duhet të jenë pjesë e çdo marrëveshjeje politike:

Pranimin e projektit të gazit amerikan si prioritet strategjik shtetëror.
Fillimin e procedurave për ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill për garantimin e sigurisë energjetike.
Rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro për bizneset e vogla.
Lirimin nga tatimi në pronë të tokës bujqësore që punohet.
Financimin e plotë të projekteve rrugore dhe investimeve kapitale të mbetura pezull.
Krijimin e një fondi emergjent prej 800 milionë deri në 1 miliard euro për investime kapitale në Prishtinë.

Gjini thekson se këto kërkesa nuk janë kushte politike për përfshirje në qeveri, por propozime që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve dhe zhvillimit të Kosovës.

Në përfundim të letrës, ai i bën të qartë Kurtit se, pa një përgjigje konkrete për këto pika, Aleanca nuk e sheh të arsyeshme zhvillimin e një takimi.

“Prandaj, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, përfundon letra e kryetarit të AAK-së.

Me këtë përgjigje, AAK konfirmon edhe një herë se nuk do të jetë pjesë e një koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa përgjegjësinë për krijimin e shumicës parlamentare ia lë subjektit fitues të zgjedhjeve.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *