“A po don me na myt a çka?” – Banorët përballen me mërgimtarin që po voziste me shpejtësi në lagjen e Mitrovicës
Një video e publikuar në rrjetet sociale ka nxitur reagime të shumta, pasi shfaq momentin kur banorët e rrugës “Ferat Dragaj” në Mitrovicë përballen me një mërgimtar, duke i kërkuar që të ulë shpejtësinë e automjetit me të cilin po lëvizte në lagje.
Në pamjet që po qarkullojnë në internet, dëgjohen banorët duke i bërë thirrje shoferit të ngadalësojë vozitjen, të shqetësuar për sigurinë e këmbësorëve dhe fëmijëve që lëvizin në atë zonë.
“A po don me na myt a çka?”, dëgjohet duke thënë njëri nga banorët, ndërsa i kërkon drejtuesit të automjetit të respektojë kufizimet e shpejtësisë dhe të tregojë më shumë kujdes gjatë qarkullimit në rrugët e lagjes.
Videoja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarët kanë theksuar rëndësinë e respektimit të rregullave të komunikacionit, veçanërisht në zonat e banuara ku rreziku për aksidente është më i madh.
Shumë komentues kanë bërë thirrje për kujdes më të madh nga të gjithë drejtuesit e automjeteve, duke kujtuar se gjatë sezonit veror rrugët nëpër lagje janë më të frekuentuara nga fëmijët dhe këmbësorët.
Deri më tani nuk është raportuar për ndonjë aksident apo ndërhyrje të Policisë lidhur me këtë rast, ndërsa videoja vazhdon të shpërndahet gjerësisht në rrjetet sociale.

Be First to Comment