Skip to content

Vetem edhe kaq ditë ju kanë mbetur për të aplikuar për librat e Fëmijevë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka hapur zyrtarisht aplikimin për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, për vitin e ri shkollor 2026/2027.

Sipas njoftimit të ministrisë, aplikimi është hapur nga 27 korriku dhe do të qëndrojë i hapur deri më 9 gusht 2026, duke u dhënë prindërve dhe kujdestarëve ligjorë dy javë kohë për të përfunduar procedurën.

Subvencionimi përfshin nxënësit e klasave 1 deri në 9, ndërsa aplikimi realizohet ekskluzivisht përmes platformës shtetërore eKosova.

Ministria ka bërë të ditur se mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit ose kujdestarit që aplikon, prandaj aplikuesit duhet të sigurohen paraprakisht se llogaria bankare është aktive dhe se të dhënat e tyre në platformën eKosova janë të sakta dhe të përditësuara.

E drejta për të aplikuar u është mundësuar edhe shtetasve të huaj me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Kosovë, nëse fëmijët e tyre ndjekin mësimin në institucionet arsimore të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, për shtetasit e huaj që ende nuk posedojnë leje qëndrimi, por kanë fëmijë të regjistruar në shkollat e Kosovës, Ministria ka bërë të ditur se do t’ia dorëzojë Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI) listën e këtyre rasteve, në mënyrë që edhe ata të kenë qasje në platformën eKosova për aplikim.

Për këtë kategori, dokumentacioni i nevojshëm duhet të dërgohet në adresën elektronike libri@rks-gov.net.

Ministria ka rikujtuar gjithashtu se, në bazë të Udhëzimit Administrativ për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore, prindërit dhe nxënësit kanë përgjegjësi për ruajtjen e librave gjatë vitit shkollor.

Në përfundim të vitit mësimor, tekstet shkollore duhet të kthehen në shkollë në gjendje të rregullt. Në rast dëmtimi ose humbjeje, prindi është i obliguar t’i zëvendësojë ose t’i kompensojë ato.

Sipas MASHTI-t, të gjitha aplikimet do të verifikohen nga shkollat përkatëse përmes koordinatorëve të autorizuar, përpara se të bëhet ekzekutimi i pagesave.

Për çdo paqartësi lidhur me procesin e aplikimit, qytetarët mund të kontaktojnë Ministrinë përmes adresës elektronike libri@rks-gov.net ose në numrin e telefonit +383 (0) 38 200 65 049.

Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë prindërve që të mos presin ditët e fundit për të aplikuar, në mënyrë që procesi të zhvillohet pa vonesa dhe nxënësit të pajisen me tekstet e nevojshme para fillimit të vitit të ri shkollor.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *