“Sokrat, jemi këtu” – janë fjalët që shoqëruan mbërritjen në Gjykatën e Sarandës të Sokrat Vatës, i dyshuari kryesor për vrasjen e turistit të huaj, Luis Varela.
Në Gjykatën e Sarandës po zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë për 11 personat e arrestuar në lidhje me ngjarjen e rëndë. Mes tyre është edhe Sokrat Vata, ndërsa në grupin e të arrestuarve janë dy shtetas turq, të dyshuar se tentuan ta transportonin drejt Tiranës, efektivë të Policisë së Shtetit që punonin si “bodyguard” në kompleksin luksoz “Principote”, si dhe disa kamerierë.
Sipas hetimeve, 20-vjeçari kishte mbërritur në Shqipëri përmes një agjencie turistike, së bashku me një grup turistësh. Ai humbi jetën pas një konflikti në kompleksin “Principote” në Ksamil, ngjarje që shkaktoi reagime të forta në kulmin e sezonit turistik.
Në lidhje me ngjarjen, Policia ka arrestuar Sokrat Vaten, ndërsa ka shpallur në kërkim Danjel Gjanën, alias Davidi Heurtevent, shtetas shqiptar me pasaportë britanike.
Gjykata pritet të shqyrtojë kërkesat e Prokurorisë dhe të vendosë masat e sigurisë për 11 personat e arrestuar.

Be First to Comment