Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend dhe diskutimet për një bashkëpunim të mundshëm ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një deklarim për IndeksOnline, Mustafa ka bërë të ditur se oferta e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, nuk është çështja që e shqetëson më së shumti.
Sipas tij, shqetësimi kryesor është gatishmëria që LDK-ja të angazhohet në një proces që do t’i mundësonte një qeverie të drejtuar nga Vetëvendosje të siguronte 80 vota në Kuvendin e Kosovës.
“Më së paku më ka interesuar oferta e Kurtit. Ajo çfarë më ka brengosë ishte dhe është, pse LDK duhet të angazhohet për ta sjellë qeverinë e VV-së në 80 vota, ashtu siç po shprehen?!”, ka deklaruar Mustafa.
Ish-kryeministri ka ngritur pikëpyetje edhe rreth identitetit politik dhe ideologjik të LDK-së në rast të një bashkëpunimi të tillë.
Ai ka rikujtuar se LDK-ja tradicionalisht pozicionohet si parti e qendrës së djathtë dhe është pjesë e familjes politike të Partisë Popullore Evropiane – EPP.
Sipas Mustafës, një bashkëqeverisje me Vetëvendosjen do të ngrinte pyetje serioze për mënyrën se si LDK-ja do ta ruante profilin e saj politik.
“Si pranon LDK të humb identitetin e saj ideologjik të qendrës së djathtë (dhe të EPP) për të qeverisur me një parti e cila në çfarëdo varianti do të kishte 3/4 e qeverisë dhe kryeministrin me politika të dëshmuara të majta: skema sociale, shtesa për fëmijë, pako mbështetëse”, është shprehur Mustafa.
Sipas tij, dallimet mes dy partive nuk lidhen vetëm me ndarjen eventuale të posteve qeveritare, por edhe me orientimin dhe politikat që do të ndiqte një qeveri e përbashkët.
Mustafa ka ngritur pikëpyetje edhe për përfitimin që Kosova do të kishte nga krijimi i një pushteti me një shumicë kaq të gjerë parlamentare.
“Për çfarë do t’i shërbente Kosovës një pushtet i tillë qeverisës me dy të tretat?”, ka pyetur ish-kryetari i LDK-së.
Deklaratat e tij vijnë në një periudhë kur raportet mes LDK-së dhe LVV-së janë rikthyer në qendër të debatit politik, pas takimeve dhe diskutimeve të fundit për tejkalimin e krizës institucionale.
Përderisa drejtuesit aktualë të LDK-së kanë deklaruar se synojnë të jenë faktor në zgjidhjen e ngërçit institucional, Mustafa po kërkon kujdes ndaj çdo formule që mund ta afrojë partinë me një qeverisje të drejtuar nga Vetëvendosje.
Nga deklarata e tij, ish-kreu i LDK-së e vendos theksin te ruajtja e identitetit politik të partisë dhe kërkon përgjigje se përse LDK-ja duhet të kontribuojë në sigurimin e një shumice prej 80 votash për një qeveri të drejtuar nga Kurti.
Debati për raportin LVV–LDK pritet të vazhdojë, ndërsa mbetet të shihet nëse kontaktet ndërmjet dy subjekteve do të kufizohen në gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e presidentit dhe institucionet, apo do të hapin diskutime edhe për një formë më të gjerë bashkëpunimi politik.

Be First to Comment