Blerta Deliu-Kodra, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka paralajmëruar protesta masovike me qëllim të konstituimit të Kuvendit dhe respektimit të Kushtetutës nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Deliu-Kodra ka thënë se ditëve në vijim do të shihen kategori të shumta shoqërore bashkë me PDK’në me qëllim që të funksionalizohen institucionet, shkruan Insajderi.
“Unë pres masovizim të protestës tonë, ditëve në vazhdim ju do të jeni dëshmitarë që kategori të shumta shoqërore do të jenë bashkë me ne për të demonstruar edhe një herë nevojën e funksionalizimit. Secili që sot jeton në Kosovë e do një Kosovë funksionale. Unë pres që masovizimi të jetë deri në kthimin e ligjshmërisë ne do të jemi edhe në Kuvend, por nuk do të përjashtojmë edhe aksione të tjera me qytetarët e Republikës”, deklaroi ajo.
Deputetja e PDK’së ka thënë se ky subjekt politik e ka tashmë të qartë qëndrimit, që nuk do të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
“Këto kriza i konvenojnë vetëm një njeriu, Albin Kurtit. Ne kërkojmë që ta ushtrojmë mandatin tonë si deputetë të opozitës. PDK-ja e ka qartësuar tashmë qëndrimin e saj. Nuk kemi nevojë të takohemi më me Albin Kurtin”, deklaroi Deliu-Kodra.
“Ata nuk po vijnë këtu për ta përmbushur mandatin e tyre. Kushtetuta duhet të jetë mbi të gjithë dhe as Albin Kurti nuk mund të jetë mbi Kushtetutën. Kjo sjellje po tentohet të shndërrohet në një sjellje normale, por nuk është e tillë”, tha ndër të tjera ajo. /Insajderi.org/

Be First to Comment