Skip to content

Abdixhiku tregon detaje: Ky do të jetë Presidenti i ri i Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur pas takimit të zhvilluar me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku temë kryesore ishte çështja e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Abdixhiku ka bërë të ditur se LDK-ja do të jetë pjesë e përfaqësimit institucional dhe do të luajë rol në përpjekjet për zgjidhjen e krizës kushtetuese dhe krijimin e institucioneve të vendit.

Sipas tij, në takimin me Kurtin është diskutuar konkretisht për kriteret dhe profilin që duhet të ketë presidenti apo presidentja e ardhshme e Republikës së Kosovës.

Kreu i LDK-së tha se palët janë pajtuar në parim rreth profilit të presidentit të ardhshëm, duke bërë të qartë se nuk synojnë zgjedhjen e një figure partiake.

“LDK-ja do të jetë pjesë e përfaqësimit institucional dhe do të jetë faktor për zgjidhjen e mundshme të krizës kushtetuese apo të krijimit të institucioneve”, deklaroi Abdixhiku.

Ai tha se presidenti i ardhshëm duhet të ketë orientim të qartë pro-perëndimor, të respektojë vlerat demokratike dhe të jetë një figurë që e do dhe e mbron Republikën e Kosovës.

“U pajtuam në parim për këtë profil, se si duhet të duket presidenti ose presidentja e ardhshme”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, një prej elementeve kryesore është që presidenti i ardhshëm të jetë në gjendje të përfaqësojë unitetin politik, ashtu siç parashihet edhe me Kushtetutën e Kosovës.

“Një president që e do Republikën, e mbron Republikën, ushtron demokracinë në mënyrë të mjaftueshme dhe një figurë që ushtron unitetin politik ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta e Kosovës”, deklaroi ai.

Abdixhiku ishte i prerë se LDK-ja nuk dëshiron që në krye të shtetit të vijë një president që përfaqëson një parti të caktuar politike.

“Pra, nuk duam një president partiak, por një figurë e cila është e respektuar dhe ushtron me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror”, tha kreu i LDK-së.

Ai u shpreh i bindur se Kosova ka personalitete që i plotësojnë këto kritere, por theksoi se çështja është shumë e ndjeshme dhe se nevojitet kohë për konsultime para se të dalin me emra konkretë.

“Jam i bindur se Kosova ka figura të tilla, por është një temë gjithashtu shumë sensibile dhe kërkuam një periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona dhe konsultative edhe me shoqërinë, para se të vijmë me emra konkretë në takimet e ardhshme”, deklaroi Abdixhiku.

Kjo nënkupton se LVV-ja dhe LDK-ja ende nuk kanë arritur marrëveshje për një kandidat konkret, por kanë afruar qëndrimet rreth kritereve që duhet t’i plotësojë personi që synon postin më të lartë shtetëror.

Abdixhiku theksoi gjithashtu se LDK-ja nuk po kërkon poste apo ndonjë përfitim politik në këmbim të mbështetjes për zgjidhjen e çështjes së presidentit.

“LDK-ja nuk kërkon asgjë mbrapa, domethënë vetëm stabilitet institucional, në mënyrë që Kosova të ketë një lloj qetësie të kërkuar e të mundshme”, deklaroi ai.

Tashmë pritet që të dyja partitë të zhvillojnë konsultimet e tyre të brendshme, ndërsa në takimet e ardhshme pritet që diskutimi të kalojë nga kriteret dhe profili te emrat konkretë për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *