Skip to content

VIDEO PAMJE / Arrestohet 29 vjeçari nga Hasi

Është arrestuar Sokrat Vata, 29-vjeçari i dyshuar për vrasjen e turistit francez Miguel Mendes, ngjarje e rëndë e ndodhur mëngjesin e sotëm në Ksamil. Vata është kapur në Fier, pasi ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe ishte shpallur në kërkim.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, 29-vjeçari ishte fshehur në bagazhin e një automjeti në momentin kur është lokalizuar dhe arrestuar. Automjeti drejtohej nga një vajzë, ndërsa brenda tij ndodhej edhe një person tjetër.

Viktima, 20-vjeçari francez Miguel Mendes, ishte në Ksamil së bashku me një grup turistësh francezë. Ai u gjet pa shenja jete në orët e hershme të mëngjesit, në zonën e shezlongëve të një plazhi.

Sipas informacioneve të deritanishme, dyshohet se i riu francez është goditur disa herë me thikë në pjesën e shpinës dhe kraharorit, ndërsa plagët kanë rezultuar fatale. Sokrat Vata dyshohet se në atë zonë punonte si roje plazhi.

Pas krimit, i dyshuari është larguar nga Ksamili, duke vënë në lëvizje strukturat policore për lokalizimin dhe kapjen e tij. Arratia e tij ka përfunduar në Fier, ku është gjetur i fshehur në bagazhin e një makine.

Sokrat Vata rezulton të ketë edhe precedentë penalë në Britaninë e Madhe. Sipas raportimeve, ai ishte dënuar në vitin 2024 me pesë vjet burg nga Gjykata e Kurorës në Cambridge, pasi kishte pranuar akuza që lidheshin me posedimin e kokainës me qëllim shpërndarjeje, drejtimin e rrezikshëm të automjetit, posedimin e kanabisit dhe drejtimin nën efektin e drogës.

Hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit francez po vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të zbardhin motivin dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *