Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës dhe mbajtje peng të funksionimit të Kuvendit të Kosovës.
Çitaku ka deklaruar se në një demokraci parlamentare dialogu, debati, pajtimet dhe mospajtimet mes partive janë normale, por sipas saj, shkelja e Kushtetutës nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në normalitet.
“Në një demokraci parlamentare, dialogu, debati, pajtimet dhe mospajtimet janë normale. Por ajo që nuk është normale është shkelja e Kushtetutës. Nuk guxon të shndërrohet në normë e normalitet. Kushtetuta është mbi çdo parti”, deklaroi Çitaku.
Ajo ka kritikuar situatën e krijuar pas zgjedhjeve, duke thënë se debati politik është përqendruar te pozitat dhe postet, ndërkohë që sipas saj deputetëve po u pamundësohet të merren me problemet e qytetarëve.
“Kanë kaluar 555 ditë nga zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025. Ne flasim për pozita e poste të pushtetarëve, ndërsa na pamundësohet të flasim për hallet e qytetarëve”, tha ajo.
Çitaku i ka bërë thirrje Albin Kurtit, Albulena Haxhiut dhe deputetëve të tjerë të Vetëvendosjes që të mundësojnë konstituimin e Kuvendit.
“E ftojmë deputetin Kurti, deputeten Haxhiu dhe të gjithë ata që po e mbajnë peng Kuvendin, që të mundësojnë konstituimin e tij”, deklaroi sekretarja e PDK-së.
Ajo ka reaguar edhe ndaj deklaratës së Albulena Haxhiut, e cila më herët kishte thënë se nëse opozita konsideron se ka shkelje, atëherë çështja mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Çitaku tha se PDK-ja nuk pranon “leksione” nga Vetëvendosje, duke e akuzuar partinë e Albin Kurtit se nuk shqetësohet për shkeljen e Kushtetutës.
“Nuk pranojmë leksione nga Vetëvendosje. Ata nuk brengosen fare që e shkelin Kushtetutën”, u shpreh Çitaku.
Deklaratat e saj vijnë në kohën kur përplasjet mes partive politike rreth konstituimit të Kuvendit dhe funksionimit të institucioneve vazhdojnë, ndërsa opozita po kërkon që procesi të zhbllokohet dhe të vazhdojë puna parlamentare.

Be First to Comment