Skip to content

Deputeti i PDK-së, Kosovës i duhet koalicion VV-PDK

Në kohën kur Kosova po përballet me një nga krizat më të thella institucionale që nga shpallja e pavarësisë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka dalë me një propozim që pritet të nxisë debat në skenën politike. Ai ka deklaruar se vendi ka nevojë për një koalicion ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke e cilësuar këtë si zgjidhjen më të mirë për rikthimin e funksionimit normal të institucioneve.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa tha se interesi shtetëror duhet të jetë mbi interesat partiake dhe se dy partitë me mbështetjen më të madhe qytetare duhet të marrin përgjegjësi për ta nxjerrë vendin nga ngërçi institucional.

“Tani para nesh kemi dy forcat më të mëdha politike: Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës. E di që mes nesh janë thënë fjalë të ashpra. E di që ka mosbesim. E di që zemrat janë djegur nga retorika e luftës politike. Por më lejoni t’ju them diçka: Kosova nuk është pronë e asnjë partie. Kosova është shtëpia e të gjithëve”, ka shkruar Mustafa.

Deklarata e tij vjen në një moment kur përplasjet politike janë intensifikuar pas moskonstituimit të Kuvendit dhe mungesës së një marrëveshjeje për zgjedhjen e institucioneve të reja.

Vetëm pak orë më parë, Grupi Parlamentar i PDK-së i dërgoi një kërkesë zyrtare kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, duke kërkuar që më 12 gusht të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive. PDK ka bërë të ditur se deputetët e saj do të jenë në Kuvend në orën 11:00, pavarësisht nëse seanca thirret ose jo.

Në të njëjtën kohë, deputeti i LDK-së Arben Gashi ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po zvarrit procesin, duke deklaruar se nëse partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për konstituimin e Kuvendit, atëherë LDK është e gatshme t’ia sigurojë ato vetëm për ta funksionalizuar institucionin.

Nga ana tjetër, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu ka përdorur gjuhë të ashpër politike, duke akuzuar Albin Kurtin dhe Avni Deharin për bllokimin e Kuvendit, ndërsa zyrtarë të Vetëvendosjes kanë këmbëngulur se zgjidhja duhet të vijë përmes një marrëveshjeje politike dhe jo përmes zgjedhjeve të reja.

Edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se komunikimi me liderët politikë do të vazhdojë çdo ditë, me synimin për të arritur një marrëveshje që do ta shmangte shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja. Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për intensifikimin e dialogut mes partive politike.

Në këtë klimë politike, deklarata e Rrustem Mustafës shihet si një nga propozimet e para publike që vjen nga një deputet i PDK-së në favor të një bashkëpunimi me Vetëvendosjen. Megjithatë, deri më tani nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar të PDK-së apo të LVV-së që sinjalizon nisjen e bisedimeve për një koalicion të tillë.

Përderisa kriza institucionale vazhdon dhe Kuvendi mbetet i pakonstituuar, mbetet të shihet nëse thirrjet për kompromis politik do të prodhojnë një marrëveshje mes partive apo nëse vendi do të vazhdojë të mbetet në bllokadë.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *