Skip to content

Veton Elshani jep lajmin e fundit per uren e lumit iber

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e qetë, pavarësisht tranzicionit gradual të pranisë së KFOR-it mbi urën e lumit Ibër.

Në një deklaratë për Kosova Live, Elshani tha se Policia e Kosovës po vazhdon të kryejë detyrat e saj në këtë zonë, me fokus garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ruajtjen e rendit e qetësisë publike.

“Nuk ka ndonjë shqetësim. Nuk ka diçka të jashtëzakonshme, ne kemi qenë edhe më parë aty. Policia po bën detyrat e veta aty, sepse ne jemi aty për sigurinë e qytetarëve, për rendin dhe qetësinë publike”, deklaroi Elshani.

Ai theksoi se Policia e Kosovës ka qenë vazhdimisht e pranishme në veri dhe është e gatshme të reagojë sa herë që paraqitet nevoja.

“Ajo që është me rëndësi të thuhet është se Policia e Kosovës ka qasje në secilin vend të veriut. Në rast se ka nevojë për të ndërhyrë, atëherë do të ndërhyjmë”, u shpreh ai.

Sipas Elshanit, situata në veri mbetet e ndjeshme për shkak të zhvillimeve politike, por aktualisht nuk ka asnjë shqetësim që do të cenonte sigurinë publike.

I pyetur nëse ka pasur reagime nga qytetarët serbë pas ndryshimeve në praninë e forcave të sigurisë pranë urës së Ibrit, ai tha se nuk është raportuar asnjë incident.

“Situata është e qetë dhe vazhdon të jetë e qetë. Nuk ka ndonjë problem për t’u theksuar”, deklaroi Elshani.

Deklaratat e tij vijnë në kohën kur në opinion po diskutohet për tranzicionin gradual të pranisë së KFOR-it në afërsi të urës mbi lumin Ibër, ndërsa autoritetet theksojnë se Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin e vendit.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *