Shqipëria do të ndërpresë importin e mishit dhe produkteve të caktuara me origjinë shtazore nga Brazili, pas ndryshimeve të fundit në rregullat e Bashkimit Evropian.
Vendimi vjen pasi Bashkimi Evropian ka kufizuar importet e produkteve të caktuara me origjinë shtazore nga Brazili, pas shqetësimeve të ngritura për përdorimin e medikamenteve veterinare që ndikojnë në rritjen e masës muskulore të kafshëve.
Sipas një shkrese të siguruar nga Top Channel, Ministria e Bujqësisë i ka kërkuar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) të zbatojë ndryshimet dhe të njoftojë operatorët ekonomikë që importojnë mish nga Brazili.
“Në këto kushte, për sa kohë që Urdhri i Ministrit i vitit 2006 e kushtëzon importimin me miratimin nga Bashkimi Evropian të zonave dhe stabilimenteve të prodhimit, ndryshimet e sjella me Rregulloren Zbatuese të Komisionit Evropian reflektohen drejtpërdrejt në zbatimin e këtij urdhri”, thuhet në dokument.
Ministria ka udhëzuar gjithashtu AKU-në që të informojë të gjitha bizneset e prekura për hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
“AKU të marrë të gjitha masat e nevojshme për njoftimin e operatorëve të biznesit që importojnë mish gjedhi dhe mish shpendësh nga Brazili mbi ndryshimet e mësipërme, zbatimi i të cilave fillon nga data 3 shtator 2026”, thuhet në shkresë.
Brazili ka qenë një nga furnizuesit kryesorë të Shqipërisë me mish viçi, pule dhe produkte të tjera të mishit për gati dy dekada, duke furnizuar si tregun vendas ashtu edhe industrinë e përpunimit të mishit.
Sipas të dhënave të World Integrated Trade Solution (WITS) të Bankës Botërore, vetëm gjatë vitit 2024 Shqipëria importoi nga Brazili mish dhe të brendshme me vlerë rreth 28.5 milionë dollarë, ndërsa 10.1 milionë dollarë prej tyre ishin mish dhe produkte të shpendëve.
Pas hyrjes në fuqi të vendimit, importuesit shqiptarë do të duhet të gjejnë tregje të reja furnizimi që plotësojnë standardet e sigurisë ushqimore dhe kërkesat e legjislacionit në fuqi.
Autoritetet theksojnë se qëllimi i këtij vendimi është garantimi i një niveli më të lartë të sigurisë ushqimore dhe përshtatja me standardet e Bashkimit Evropian për importin e produkteve me origjinë shtazore.

Be First to Comment