Profesori në pension i hidroteknikës dhe hidrologjisë, Jovan Despotoviq, ka kundërshtuar deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke i cilësuar ato si të parealizueshme dhe në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare.
Në një deklaratë për FoNet, të transmetuar nga N1, Despotoviq tha se një projekt i tillë nuk mund të realizohet as teknikisht dhe as ligjërisht.
“Është somnambulizëm, nuk ka lidhje me asgjë për dy arsye. Së pari, është e pamundur të realizohet për një kohë të shkurtër, pa rrënuar kodra dhe male. Së dyti, kjo thjesht nuk mund të bëhet, këtë duhet ta miratojë Evropa”, deklaroi ai.
Sipas profesorit, ndryshimi i rrjedhës së një lumi si Ibri kërkon studime shumëvjeçare, projekte të detajuara dhe miratime nga institucionet ndërkombëtare përgjegjëse për menaxhimin e ujërave ndërkufitare.
Ai theksoi se në një proces të tillë do të duhej të përfshihej edhe Komisioni i Danubit me seli në Vjenë, si dhe institucione të tjera evropiane.
“Epo, nuk është kjo një gropë septike pas shtëpisë. Kjo është vërtet e papranueshme. Ekzistojnë marrëveshje evropiane që i kemi për burimet ujore në Serbi dhe që lidhen me të gjitha vendet fqinje. Ne as me Drinin nuk mund të bëjmë asgjë vetë”, u shpreh Despotoviq.
Ai rikujtoi se Ibri është një lumë ndërkombëtar, pasi buron në territorin e Malit të Zi dhe kalon përmes disa vendeve, çka nënkupton se çdo ndërhyrje duhet të bëhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
“Ekziston direktiva evropiane për ujërat. Ibri tani është lumë ndërkombëtar. Tani ai dëshiron të thotë se Ibëri është lumi ynë dhe se mund të bëjmë çfarë të duam. Kjo nuk ka lidhje me realitetin. Duhet të pajtohen edhe malazezët”, deklaroi profesori.
Reagimi i Despotoviqit vjen pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e saj, duke e lidhur këtë ide me zhvillimet politike dhe trajtimin e serbëve në Kosovë.
Deklaratat e Vuçiqit kanë nxitur reagime në Kosovë, Shqipëri dhe në qarqe të ndryshme profesionale, ku është theksuar se çdo ndërhyrje në një lumë ndërkufitar duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të realizohet vetëm përmes bashkëpunimit mes shteteve të përfshira.

Be First to Comment