Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, lidhur me lumin Ibër dhe zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Përmes një reagimi publik, Gjuriq tha se debati për lumin Ibër po përdoret për të shmangur, sipas tij, çështjen kryesore, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës për veprime ndaj komunitetit serb në veri.
“Në fakt, po diskutojmë për lumin Ibër për një arsye të vetme: qeveria e Albin Kurtit po e shfrytëzon këtë verë për të shembur shtëpi të serbëve, pa procedurë të rregullt ligjore, përgjatë brigjeve të liqenit të Gazivodës dhe Ibrit, duke i privuar njerëzit nga pronat, qasja dhe mjetet e jetesës përmes veprimeve që janë haptazi diskriminuese në baza etnike”, ka deklaruar Gjuriq.
Ai kritikoi edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke thënë se ky i fundit nuk ka trajtuar, sipas tij, çështjen e pronave të serbëve në veri të Kosovës.
“Kryeministri Edi Rama ka shkruar një tekst të gjatë dhe elegant për gjeografinë, historinë dhe vlerat evropiane. Ajo që ai ka zgjedhur të mos trajtojë është shkatërrimi sistematik i pronës së serbëve që po ndodh pikërisht tani”, u shpreh ai.
Gjuriq theksoi gjithashtu se Shqipëria nuk është shtet breglumor i lumit Ibër, duke argumentuar se nuk ka rol të drejtpërdrejtë në çështjet që lidhen me këtë lumë.
“Ibri është një rrjedhë ujore ndërkufitare, por Shqipëria nuk është shtet breglumor i këtij lumi. E drejta ndërkombëtare e ujërave nuk u jep të drejtë shteteve breglumore mbi bazën e afërsisë etnike”, deklaroi ai.
Në reagimin e tij, ministri serb përsëriti edhe qëndrimin zyrtar të Beogradit për Kosovën.
“Qëndrimi i Serbisë për Kosovën nuk është folklor. Ai bazohet në Kushtetutën tonë, në të drejtën ndërkombëtare dhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria mund të mos jetë dakord, por nuk mund ta shpallë në mënyrë të njëanshme çështjen të zgjidhur”, tha Gjuriq.
Ai i bëri gjithashtu thirrje Tiranës zyrtare që të mbështesë, sipas tij, ndalimin e shembjes së shtëpive të serbëve në veri të Kosovës dhe zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Presim që kjo njohje të shoqërohet me mbështetje praktike – duke filluar me një thirrje të qartë për t’i dhënë fund shembjes së shtëpive të serbëve dhe për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, u shpreh ai.
Në fund të reagimit, Gjuriq propozoi që dialogu të zhvillohet përmes kanaleve diplomatike dhe jo përmes deklaratave publike.
Deklaratat e ministrit serb përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Serbisë dhe janë kundërshtuar vazhdimisht nga institucionet e Kosovës, të cilat e konsiderojnë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Be First to Comment