Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka udhëtuar sot drejt Italisë, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.
Gjatë qëndrimit në Itali, Haxhiu do të marrë pjesë edhe në pritjen e organizuar nga Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, për krerët e shteteve dhe përfaqësuesit e lartë të vendeve pjesëmarrëse në këtë ngjarje të rëndësishme sportive.
Kosova në edicionin e sivjetmë të Lojërave Mesdhetare do të ketë një përfaqësim të gjerë, me numrin më të madh të sportistëve që ka dërguar deri më tani në këtë garë.
Gjithsej 163 sportistë nga Kosova do të marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Sportistët kosovarë do të garojnë në 17 sporte individuale dhe katër sporte ekipore, duke e bërë këtë pjesëmarrjen më të madhe të Kosovës në historinë e paraqitjeve të saj në Lojërat Mesdhetare.
Pjesëmarrja e Haxhiut në ceremoninë hapëse vjen në një moment me rëndësi të veçantë për sportin kosovar, pasi Kosova jo vetëm që synon paraqitje të suksesshme në Taranto, por po përgatitet edhe për një prej ngjarjeve më të mëdha sportive që do të organizohen ndonjëherë në vend.
Kjo pasi edicioni pasues i Lojërave Mesdhetare do të organizohet në Prishtinë në vitin 2030.
Për këtë arsye, “Taranto 2026” konsiderohet me rëndësi të veçantë për delegacionin kosovar edhe në aspektin organizativ dhe institucional.
Kosova do të ketë mundësinë të përcjellë nga afër mënyrën e organizimit të një gare të këtyre përmasave, katër vjet para se Prishtina të marrë rolin e nikoqirit.
Pritja e organizuar nga presidenti italian Sergio Mattarella do të mbledhë krerë shtetesh dhe përfaqësues të lartë të vendeve që marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare.
Haxhiu pritet ta përfaqësojë Kosovën në këtë pritje dhe në aktivitetet institucionale që lidhen me hapjen e Lojërave.
Ndërkohë, vëmendja sportive do të jetë te 163 garuesit kosovarë, të cilët do të synojnë rezultate dhe medalje në disiplinat përkatëse.
Pjesëmarrja rekord në 21 sporte gjithsej dëshmon për zgjerimin e përfaqësimit të Kosovës në këtë ngjarje, ndërsa përvoja e Tarantos pritet të jetë e rëndësishme edhe në rrugën drejt organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Pas përfundimit të “Taranto 2026”, pikërisht Kosova do të marrë stafetën për organizimin e edicionit të ardhshëm, duke e vendosur Prishtinën dhe vendin në qendër të vëmendjes sportive mesdhetare.

Be First to Comment