Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe kushtëzimin e këtij procesi me arritjen e një marrëveshjeje politike për presidentin.
Bajrami i ka cilësuar “banale” arsyetimet e VV-së, duke thënë se Kosova po mbahet prej një kohe të gjatë pa institucione legjitime.
“Që tri herë zgjedhje, për të shkuar prapë në zgjedhje. Pse?”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, nga deklaratat e mëhershme se “s’bën qerrja para kalit”, tash është kaluar te arsyetimi se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa një marrëveshje politike për presidentin.
“Nga ‘s’bën qerrja para kalit’, deri te ‘nuk e konstituojmë Kuvendin pa marrëveshje politike, sepse nëse e bëjmë vendi shkon në zgjedhje’ – janë arsyetimet më banale të cilat nga dhjetori i vitit 2024 po e mbajnë Kosovën pa institucione legjitime”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e LDK-së ka ngritur pikëpyetje edhe mbi logjikën e këtij qëndrimi, duke thënë se edhe moskonstituimi i Kuvendit mund ta dërgojë vendin drejt zgjedhjeve.
“Tash thonë: ‘Nuk e konstituojmë Kuvendin pa marrëveshje për Presidentin, sepse nëse s’ka marrëveshje, vendi shkon në zgjedhje’. Po nëse nuk e konstituoni Kuvendin, vendi prapë shkon në zgjedhje. Atëherë, çfarë po përpiqeni të shmangni?”, ka pyetur Bajrami.
Ajo ka thënë se derisa vazhdon situata aktuale politike, pasojat po ndihen në shumë fusha të jetës në Kosovë.
Sipas Bajramit, “nuk ka pothuajse asnjë sferë të jetës në Kosovë që nuk ka degraduar, asnjë të vetme”.
Në vazhdim, deputetja e LDK-së ka renditur disa pyetje që, sipas saj, qytetarët kanë të drejtë t’ia drejtojnë kryetarit të LVV-së, Albin Kurti.
“Çka po don Albin Kurti? Pse po e shtyn vendin vazhdimisht drejt zgjedhjeve? Kujt i shërben një Kosovë pa Kuvend funksional dhe pa institucione legjitime?”, ka shkruar Bajrami.
Ajo e ka përmbyllur reagimin duke kritikuar ciklin e vazhdueshëm të zgjedhjeve dhe krizave politike.
“Që tri herë po shkojmë në zgjedhje, për të përfunduar përsëri në zgjedhje”, ka deklaruar Hykmete Bajrami.
Reagimi i saj vjen në kohën kur partitë politike po zhvillojnë diskutime për çështjen e presidentit dhe krijimin e institucioneve, ndërsa ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare që do t’i jepte fund ngërçit politik.

Be First to Comment