Paralajmërim për rritje të fortë të çmimeve të ushqimeve: Buka, makaronat, qumështi, pemët e perimet pritet të shtrenjtohen
Çmimet globale të ushqimeve pritet të përballen me një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2026, ndërsa presioni mund të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas vlerësimeve të Oxford Economics, të raportuara nga Euronews, çmimet globale të ushqimeve parashikohet të rriten me 11.8 për qind gjatë vitit 2026, ndërsa një rritje tjetër prej rreth 4.8 për qind parashikohet për vitin 2027.
Në mesin e produkteve më të prekura pritet të jetë gruri, çka mund të reflektohet më pas në çmimet e produkteve bazë që konsumohen çdo ditë, përfshirë bukën, makaronat, biskotat dhe drithërat e mëngjesit.
Presioni mbi çmimet po vjen nga disa drejtime njëkohësisht: luftërat dhe pasiguria në tregjet ndërkombëtare, kostot e larta të energjisë dhe plehrave, por edhe temperaturat ekstreme dhe thatësirat që po ndikojnë në prodhimin bujqësor.
Drithërat, pemët, perimet dhe produktet e qumështit konsiderohen ndër kategoritë që mund të përballen me rritjen më të madhe.
Situata është rënduar edhe nga kushtet klimatike në Evropë. Pas temperaturave të larta, Coceral uli parashikimin për prodhimin e drithërave në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar nga 295.5 milionë tonë në 286.6 milionë tonë.
Për krahasim, korrja e vitit të kaluar ishte rreth 310 milionë tonë.
Një tjetër faktor që po ushtron presion mbi sektorin e ushqimit janë kostot e energjisë dhe të plehrave kimike.
Oxford Economics parashikon që çmimet e plehrave të rriten me rreth 22 për qind këtë vit, duke shtuar kostot për fermerët dhe, rrjedhimisht, presionin mbi çmimin përfundimtar të produkteve ushqimore.
Ekonomisti i lartë i Oxford Economics, Tomas Dvorak, ka theksuar se zhvillimet gjeopolitike po ndikojnë drejtpërdrejt në burimet bazë të nevojshme për prodhimin bujqësor, përfshirë naftën, gazin natyror dhe plehrat.
Edhe lufta në Ukrainë vazhdon të mbetet faktor i rëndësishëm për tregun ndërkombëtar të ushqimeve.
Rusia dhe Ukraina së bashku, sipas Dvorak, përbëjnë pak më pak se 30 për qind të eksporteve globale të grurit dhe më shumë se 10 për qind të eksporteve të misrit.
Sulmet dhe ndërprerjet që prekin portet, terminalet, anijet dhe rrugët e eksportit në Detin e Zi dhe Detin Azov mund të ndikojnë në kapacitete të konsiderueshme të furnizimit global.
Gruri pritet të jetë ndër më të goditurit
Në qendër të shqetësimeve është veçanërisht gruri, prodhimi i të cilit kërkon përdorim të konsiderueshëm të plehrave.
Oxford Economics parashikon që çmimi i grurit gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026 mund të jetë rreth 36 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Një rritje e tillë mund të kalojë gradualisht te konsumatori përmes produkteve që kanë grurin si lëndë të parë.
Kjo nënkupton se presioni mund të mos kufizohet vetëm te buka. Makaronat, biskotat, produktet e furrës dhe një sërë ushqimesh të përpunuara mund të përballen gjithashtu me kosto më të larta.
Produktet e qumështit mund të preken po ashtu, ndërsa sipas analizës, mishi pritet të jetë relativisht më pak i ekspozuar ndaj goditjes së çmimeve.
Kur mund ta ndiejnë konsumatorët shtrenjtimin?
Efektet nuk pritet të shfaqen njëkohësisht për të gjitha produktet.
Sipas Dvorak, te ushqimet e freskëta, veçanërisht pemët dhe perimet, ndryshimet mund të bëhen të dukshme në dyqane brenda dy deri në tre muajsh.
Te ushqimet e përpunuara transmetimi i kostove kërkon më shumë kohë, për shkak të procesit të korrjes, përpunimit, prodhimit dhe shpërndarjes.
Për këtë kategori, kulmi i rritjes së çmimeve mund të shfaqet pas rreth gjashtë deri në nëntë muajsh.
Nëse parashikimet realizohen, muajt e ardhshëm mund të sjellin presion të ri mbi buxhetet familjare, veçanërisht për produktet bazë të shportës së konsumatorit, ndërsa efektet më të forta të shtrenjtimit të ushqimeve të përpunuara mund të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2027.

Be First to Comment