Skip to content

Pushuesi rrëfen momentet e frikës: Jemi trembur shumë, erdhëm për qetësi, por pamë Policinë

Vrasja e 20-vjeçarit francez Migel Mendes në Ksamil ka tronditur pushuesit që ndodheshin në zonë, ndërsa një prej tyre ka rrëfyer momentet kur mësoi për ngjarjen e rëndë.

Në një prononcim për Top Channel, pushuesi ka treguar se ndodhej në Ksamil për pushime dhe se në mëngjes ishte përballur papritur me një numër të madh policësh dhe zonën e rrethuar.

Ai tha se ngjarja i kishte frikësuar shumë dhe se kishin menduar madje të largoheshin e të ndryshonin vendin ku po kalonin pushimet.

“Ne kur u ngritëm sot në mëngjes, nuk e prisnim, se ishim me pushime, donim të ndërronim edhe vendin. Jemi trembur shumë, se është një ngjarje shumë e rëndë”, ka deklaruar pushuesi.

Ai ka treguar se kishte ardhur në Ksamil me synimin për të kaluar disa ditë të qeta, ndërsa mëngjesin e sotëm situata që gjeti jashtë hotelit ishte krejtësisht tjetër.

“Ne kemi ardhur me pushime për të ndenjur në qetësi. Çdo darkë këtu ka muzikë dhe dëgjohej edhe muzika kur je te hoteli”, ka treguar ai.

Pushuesi ka thënë se ishte zgjuar rreth orës 07:00 për të ngrënë mëngjes, kur kishte parë praninë e Policisë dhe zonën e rrethuar.

“Ne u çuam në orën 7 për të bërë mëngjesin dhe vetëm kur pamë policinë që kishte rrethuar vendin, ishte një ngjarje shumë e rëndë”, ka deklaruar ai.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, kur 20-vjeçari francez Migel Mendes u gjet pa shenja jete në zonën e shezlongëve pranë një lokali në Ksamil.

Sipas informacioneve paraprake, i riu francez dyshohet se ishte përfshirë në një konflikt me 29-vjeçarin Sokrat Vata, i cili dyshohet se e kishte goditur disa herë me thikë.

Pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar nga Ksamili, ndërsa më vonë u lokalizua dhe arrestua nga Policia.

Vrasja ka shkaktuar shqetësim të madh mes pushuesve, ndërsa dëshmia e turistit tregon atmosferën e krijuar mëngjesin pas krimit në një prej destinacioneve më të frekuentuara turistike të jugut të Shqipërisë.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *