Skip to content

Një rrëfim i dhimbshëm ka ardhur nga babai i 8-vjeçarit Enio Tabaku

Një rrëfim tronditës ka ardhur nga babai i 8-vjeçarit Enio Tabaku, i cili humbi jetën tragjikisht tetë ditë më parë pas një aksidenti të rëndë në Peqin.

Babai i tij, Flamuri, ka treguar momentet kur mori lajmin se djali i tij ishte goditur për vdekje, teksa kishte dalë nga shtëpia për të festuar Halloween me shokët.

Sipas tij, Enio kishte ngrënë bukë në shtëpi dhe më pas kishte dalë për t’u bashkuar me fëmijët e tjerë, pa e ditur se ajo do të ishte hera e fundit që familja do ta shihte të gjallë.

“Ishte ditë e enjte kur ndodhi aksidenti. Ishte Halloween. Hëngri bukë dhe doli të festonte me shokët. Më thanë: ‘Flamur, t’u vra djali’”, ka rrëfyer ai për Euronews.

Babai ka përshkruar më pas skenën e rëndë me të cilën ishte përballur kur kishte mbërritur në vendin e aksidentit.

Ai tha se në momentin kur ndodhi tragjedia ndodhej vetëm rreth 100 metra larg djalit dhe se kishte qenë ndër të parët që kishte mbërritur pranë tij.

“Kam qenë larg vetëm 100 metra djalit. I thashë djalit të ecte anash rrugës. Kur më thirrën vëllezërit, u turrën të gjithë, unë e kapa i pari”, tregoi Flamuri.

Ai kujtoi edhe një detaj nga momentet e fundit të të birit, duke treguar se 8-vjeçari ende mbante në dorë fara luledielli.

Flamuri tha se Enion e kishte rritur i vetëm për katër vjet, pasi djali kishte mbetur pa nënën.

“E kam rritur katër vjet jetim. Kam qenë edhe nënë edhe babë për të”, tha ai.

Sipas babait, Enio fliste shpesh për nënën dhe e kujtonte atë me fjalët: “E kemi mamin në zemër”.

Humbja e djalit e ka rënduar jashtëzakonisht shumë Flamurin, i cili tha se prej tetë ditësh nuk arrin të flejë dhe pothuajse nuk ka ngrënë.

“Kam tetë ditë që nuk kam ngrënë asgjë. Vetëm kam pirë ujë”, u shpreh ai.

Babai i 8-vjeçarit ka kërkuar nga institucionet që rasti të trajtohet me drejtësi dhe që të ndërhyhet edhe për rritjen e sigurisë në rrugën ku ndodhi aksidenti, në mënyrë që tragjedi të tilla të mos përsëriten.

“I lutem shtetit të vërë dorë te rruga. Sot fëmija im, nesër mund të jetë dikush tjetër”, deklaroi Flamuri.

Ai tha se nuk ka komunikuar me personat e përfshirë në aksident dhe se çështjen ia ka lënë drejtësisë.

“Nuk kam folur me autorët, ia kam lënë drejtësisë në dorë”, përfundoi babai i 8-vjeçarit.

Vdekja tragjike e Enio Tabakut ka tronditur familjen dhe komunitetin, ndërsa babai i tij kërkon që përgjegjësit të përballen me drejtësinë dhe të merren masa që një tjetër familje të mos përjetojë të njëjtën tragjedi.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *