Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Trebisacce, në provincën e Kozencës në Itali, ku një grua 46-vjeçare është gjetur e pajetë pranë spitalit të qytetit.
Viktima është identifikuar si Ornella Forastefano, ndërsa hetimet janë përqendruar te partneri i saj, Elvis Metvelaj, 42 vjeç, shtetas shqiptar.
Sipas informacioneve të raportuara, gruaja dyshohet se ishte dhunuar rëndë përpara se të gjendej pa shenja jete.
Shqiptari u kap në Bari
Hetuesit e Prokurorisë së Castrovillarit dhe karabinierët italianë kanë përqendruar vëmendjen te 42-vjeçari shqiptar, me të cilin viktima bashkëjetonte prej rreth një viti.
Metvelaj është kapur në Bari, ndërsa dyshohet se po tentonte të largohej.

Pas ndalimit, ai është marrë në pyetje nga autoritetet italiane në lidhje me rrethanat që çuan në vdekjen e partneres së tij.
Megjithatë, hetimet janë ende në zhvillim dhe përgjegjësia penale e të dyshuarit mbetet për t’u përcaktuar nga organet e drejtësisë.
Autopsia pritet të zbulojë shkakun e vdekjes
Autoritetet kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë së trupit të Ornella Forastefanos.
Ekzaminimi mjeko-ligjor pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes, natyrën e dëmtimeve dhe elemente të tjera që mund t’i ndihmojnë hetuesit në rindërtimin e dinamikës së ngjarjes.
Një prej pikave që mbetet ende për t’u sqaruar është mënyra se si 46-vjeçarja përfundoi pranë spitalit.
Nuk është përcaktuar ende nëse ishte pikërisht Metvelaj personi që e kishte dërguar gruan e plagosur atje.
Viktima drejtonte një bar së bashku me fëmijët
Ornella Forastefano ishte me origjinë nga Cassano allo Ionio dhe, sipas raportimeve, menaxhonte një bar në qendër të Trebisacce-s së bashku me dy fëmijët e saj.
Sipas informacioneve paraprake, ajo dhe 42-vjeçari shqiptar bashkëjetonin prej afërsisht një viti.
Raportohet gjithashtu se Metvelaj ishte i njohur më parë nga forcat italiane të rendit për çështje të lidhura me lëndët narkotike.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa rezultatet e autopsisë dhe marrja në pyetje e të dyshuarit pritet të hedhin më shumë dritë mbi atë që ka ndodhur dhe mbi shkakun e vdekjes së 46-vjeçares.

Be First to Comment