Futbolli kosovar është në zi. Erdogan Celina, një prej figurave më të shquara dhe më të respektuara të futbollit të Kosovës, ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të shkurtër. Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar edhe nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Celina ishte pjesë e gjeneratës së artë të futbollit kosovar dhe gjatë karrierës së tij si futbollist mbrojti ngjyrat e Lirisë së Prizrenit, Trepçës dhe Prishtinës, duke lënë gjurmë të fuqishme në historinë e sportit vendor.
Ai luante në pozitën e qendërmbrojtësit dhe konsiderohej ndër futbollistët më cilësorë të gjeneratës së tij.
Ishte pjesë e finales historike të Trepçës
Një prej momenteve më të rëndësishme të karrierës së Erdogan Celinës ishte paraqitja me Trepçën në finalen e Kupës Marshall Tito në vitin 1978.
Celina ishte titullar në atë ndeshje historike, të zhvilluar në stadiumin “Marakana”, ku Trepça u mposht minimalisht, 1:0, nga Rijeka para rreth 40 mijë shikuesve.

Kontributi i tij nuk përfundoi me largimin nga fusha si futbollist.
Celina vazhdoi t’i shërbente futbollit kosovar edhe si trajner, duke drejtuar Lirinë e Prizrenit në periudha të ndryshme. Ai gjithashtu dha kontribut në zhvillimin e futbollistëve të rinj, duke punuar edhe me Përfaqësuesen U21 të Kosovës.
Agim Ademi: La gjurmë të pashlyeshme
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e ka përshkruar Celinën si një prej personaliteteve më të rëndësishme të futbollit kosovar.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta, pas një sëmundjeje të shkurtër, të Erdogan Celinës”, ka shkruar Ademi, duke theksuar se ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit të Kosovës.
Celina vlerësohej jo vetëm për cilësitë sportive, por edhe për karakterin, profesionalizmin dhe rolin prej lideri që kishte brenda ekipeve ku luajti.
Me vdekjen e tij, futbolli kosovar humb një futbollist të gjeneratës së artë, një trajner dhe një figurë që për dekada i shërbeu sportit të Kosovës.
Erdogan Celina mbetet pjesë e historisë së futbollit kosovar për kontributin e tij me Lirinë, Trepçën, Prishtinën dhe gjeneratat e reja të futbollistëve.
Lamtumirë, legjendë!

Be First to Comment