Skip to content

Reagon më në fund Avni Dehari, merr këtë vendim për seancën konstituive

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë një marrëveshje për tejkalimin e bllokadës institucionale.

Përmes një postimi publik, Dehari tha se zhvillimet e fundit në Kuvend kanë dëshmuar se vazhdimi i seancave pa një marrëveshje politike vetëm sa e përkeqëson situatën dhe rrit rrezikun e tensioneve.

Sipas tij, ngjarjet e tri ditëve më parë ishin pikërisht skenari për të cilin kishte paralajmëruar edhe më herët.

“Ajo që ndodhi para tri ditësh në Kuvend ishte pikërisht situata për të cilën kam paralajmëruar. Çdo përpjekje për vazhdimin e seancës pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve fizike brenda sallës së Kuvendit”, ka theksuar Dehari.

Ai ka vlerësuar se Kosovës i nevojitet përgjegjësi politike dhe dialog, në mënyrë që të zhbllokohen institucionet dhe vendi të fitojë stabilitet.

“Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe për një marrëveshje që e zhbllokon situatën institucionale dhe garanton funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve”, është shprehur ai.

Në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive, Dehari u bëri thirrje të gjitha subjekteve parlamentare që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do t’i hapte rrugë jo vetëm konstituimit të Kuvendit, por edhe formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së një presidenti konsensual.

Sipas tij, këto procese duhet të shihen si pjesë e së njëjtës marrëveshje politike.

“Si kryesues i seancës konstituive, u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen në një tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje politike që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe arritjes së një marrëveshjeje për një president konsensual”, ka shkruar Dehari.

Ai ka paralajmëruar se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë”, theksoi ai.

Në fund të reagimit, Dehari rikujtoi se qytetarët e Kosovës janë thirrur disa herë në kutitë e votimit gjatë dy viteve të fundit dhe se tani përgjegjësia për zgjidhjen e krizës u takon partive politike.

“Qytetarët e Kosovës janë thirrur të vendosin me votën e tyre tri herë brenda dy vjetëve të fundit. Populli ka folur. Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme”, përfundoi Dehari.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *