Një përleshje e rëndë është regjistruar pas mesnatës në Vushtrri, ku tre persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa dyshohet se gjatë konfliktit është përdorur edhe një sëpatë.
Ngjarja ka ndodhur më 14 gusht, rreth orës 00:10, në rrugën “Hakif Zejnullahu”, ku, sipas informacioneve fillestare, disa persona janë përfshirë në një konflikt fizik që ka përshkallëzuar në përdorimin e një mjeti të mprehtë.
Sipas burimeve te Sinjali.com, të lënduar nga kjo përleshje janë Naim Sokoli (56 vjeç), Arjet Sokoli (24 vjeç) dhe Bamir Sokoli (17 vjeç).
Dyshohet se lëndimet janë shkaktuar me një sëpatë, megjithëse rrethanat e sakta të përdorimit të saj ende nuk janë sqaruar nga organet hetimore.
Tre të lënduarit fillimisht kanë marrë ndihmën e parë në Qendrën Emergjente të Vushtrrisë, ndërsa për shkak të natyrës së plagëve, dy prej tyre janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për trajtim të specializuar.
Ndërkohë, personat e dyshuar për përfshirje në incident janë larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas përleshjes dhe deri tani nuk janë identifikuar. Policia e Kosovës ka nisur kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.
Motivet që çuan në këtë konflikt mbeten ende të paqarta, ndërsa hetuesit po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe sigurimin e provave që do të ndihmojnë në ndriçimin e ngjarjes.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa priten informacione shtesë pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.

Be First to Comment