Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se beson se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është dashur t’i bashkohej Vetëvendosjes në një qeveri të përbashkët, duke theksuar se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për tejkalimin e krizës politike në vend.
Komentet e Kurtit vijnë një ditë pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se partia e tij nuk do t’i vazhdojë negociatat për një marrëveshje bashkëqeverisëse me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas Kurtit, një marrëveshje politike mes dy partive do të ishte në përputhje me rezultatin zgjedhor, por pa deformuar vullnetin e qytetarëve.
“Unë besoj që LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje. Ta kemi një marrëveshje politike. Nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve, 53 me 18, por edhe deformimi i rezultatit nuk mund të jetë”, deklaroi Kurti.
Ai tha se Vetëvendosje kishte bërë oferta konkrete ndaj LDK-së, duke përfshirë edhe pozita të rëndësishme qeveritare.
“Nuk është pak me 18 deputetë të marrësh kryetarin e Kuvendit. Kur e pamë që nuk janë të interesuar për kryetarin e Kuvendit, oferta jonë qysh në pranverë është ripërsëritur tani. Nëse VV do ta kishte kandidatin për president, që ishte Glauk Konjufca, atëherë LDK ta marrë zëvendëskryeministrin dhe katër ministri. Ndërkaq, nëse kandidati është konsensual, ta marrë zëvendëskryeministrin dhe tri ministri, sepse LVV po heq dorë nga presidenti”, u shpreh ai.
Kurti shtoi se një rol i tillë në ekzekutiv do të kishte qenë i rëndësishëm edhe për vetë kreun e LDK-së.
“Nuk është pak që, nëse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ta zëmë, bëhet zëvendësi im në qeveri. Nuk është pak edhe nëse rezultati do të ishte edhe më i ngushtë”, deklaroi ai.
Duke folur për përpjekjet për tejkalimin e ngërçit politik, Kurti bëri të ditur se me propozimin e Abdixhikut u kishte dërguar ftesë kryetarëve të tri partive parlamentare për një takim të përbashkët.
“Me idenë e Abdixhikut, iu kam shkruar të tre kryetarëve të partive, që sa më parë të takohemi e të merremi vesh për presidentin”, tha Kurti.
Ai shtoi se diskutimet politike nuk duhet të kufizohen vetëm te parimet, por duhet të kalojnë edhe në diskutimin e emrave konkretë për funksionet shtetërore.
“Duhet të flasim edhe për emra”, përfundoi kryeministri në detyrë.
Deklaratat e Kurtit vijnë në një periudhë kur përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike për konstituimin e institucioneve të reja kanë hyrë në një fazë vendimtare, ndërsa LDK ka bërë të ditur se nuk do të vazhdojë negociatat për një koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Be First to Comment