Një deklaratë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka rikthyer në qendër të vëmendjes ofertën politike të Albin Kurtit për PDK-në dhe mundësinë që kjo parti ta marrë drejtimin e Kuvendit të Kosovës.
Abrashi ka deklaruar se deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, mund të bëhet kryetare e Kuvendit nëse kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pranon ofertën e bërë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, deputeti i Vetëvendosjes ka përmendur drejtpërdrejt emrin e Çitakut si një mundësi për postin më të lartë në Kuvend.
“Vlora Çitaku mund të bëhet kryetare e Kuvendit nëse Bedri Hamza e pranon ofertën e Albin Kurtit”, ka shkruar Abrashi.
Abrashi tregon se çfarë kërkohet nga PDK-ja
Sipas Abrashit, marrja e postit të kryetarit të Kuvendit nga PDK-ja do të lidhej me një marrëveshje për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Ai ka deklaruar se PDK-ja do ta fitonte drejtimin e Kuvendit në këmbim të mosbllokimit të procesit presidencial.
“PDK e fiton kryeparlamentarin vetëm dhe vetëm që të mos e bllokojë zgjedhjen e presidentit të ri”, ka deklaruar Abrashi.
Deklarata e tij vjen në një moment kur çështja e konstituimit të institucioneve dhe zgjedhjes së presidentit vazhdon të jetë ndër temat kryesore të përplasjes politike në vend.
Çfarë i kishte ofruar Kurti Bedri Hamzës?
Oferta së cilës i referohet Abrashi ishte përfshirë në letrën që Albin Kurti i kishte dërguar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
Në të, Kurti kishte propozuar një riorganizim të pozitave drejtuese në Kuvend, nëse deputetët e PDK-së qëndrojnë në sallë dhe marrin pjesë në votimin për presidentin e ri.
“Për qëndrimin tuaj në sallë dhe për pjesëmarrje në votimin për President/e të ri/e të Republikës jemi të gatshëm që ta bëjmë rokadën e nënkryetarit/es suaj të Kuvendit me kryetarin/en e Kuvendit nga ne”, thuhej në ofertën e Kurtit.
Në praktikë, një marrëveshje e tillë do t’i hapte rrugë PDK-së që të merrte postin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa Vetëvendosje do të merrte pozitën e nënkryetarit që do t’i takonte PDK-së.
PDK do të drejtonte një nga pozitat më të larta shtetërore
Sipas arsyetimit të paraqitur nga Kurti, marrëveshja do t’i mundësonte PDK-së të udhëhiqte njërën prej tri pozitave kryesore politike shtetërore.
Në këmbim, kërkesa kryesore ndaj PDK-së do të ishte pjesëmarrja e deputetëve të saj në procesin për zgjedhjen e presidentit të ri.
Pikërisht ky element e bën ofertën politikisht të ndjeshme, pasi sigurimi i kuorumit është një prej elementeve kyçe të procedurës kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.
A mund të jetë Vlora Çitaku emri i PDK-së?
Artan Abrashi tashmë ka vendosur publikisht në diskutim edhe një emër konkret – Vlora Çitakun.
Megjithatë, deklarata e tij nuk nënkupton se Çitaku është propozuar zyrtarisht nga PDK-ja për këtë pozitë. Nga informacionet e publikuara deri tani, bëhet fjalë për një mundësi të përmendur nga deputeti i Vetëvendosjes.
Qëndrimi i PDK-së ndaj ofertës mbetet vendimtar për çdo zhvillim të tillë.
PDK-ja deri më tani ka kundërshtuar arritjen e një marrëveshjeje të këtij formati me Vetëvendosjen, ndërsa Bedri Hamza ka refuzuar takimet e propozuara me Kurtin.
Nëse qëndrimet ndryshojnë, megjithatë, deklarata e Abrashit tregon se drejtimi i Kuvendit vazhdon të jetë në tavolinë si pjesë e një marrëveshjeje potenciale politike.

Be First to Comment