Skip to content

Ku ishte LDK sot Arben Gashi befason me deklaratën

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke paralajmëruar se situata politike po përshkallëzohet dhe se tensionet rrezikojnë të shndërrohen në përplasje fizike.

Përmes një postimi në Facebook, Gashi tha se insistimi për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit po e thellon krizën institucionale dhe po krijon një atmosferë gjithnjë e më të tensionuar.

Sipas tij, në këtë moment vendimtar po mungon një qëndrim i qartë dhe i fuqishëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Situata në Kuvend po shkon drejt përplasjeve fizike, ndërsa insistimi për bllokimin e tij vazhdon. Në këtë moment kritik, po mungon një pozicionim i qartë dhe i fortë i LDK-së”, ka shkruar Gashi.

Ai theksoi se vendi ka nevojë për frymën politike të ndërtuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, duke vlerësuar se Kosova ka nevojë për dialog dhe maturi për të dalë nga kriza.

“Në fakt, Kosovës po i mungon LDK-ja. Po i mungon fryma rugoviane. Sepse kur institucionet bllokohen dhe tensionet rriten, Kosovës i duhet më shumë dialog, maturi, shtet dhe Republikë. Është koha që LDK-ja të flasë”, u shpreh ai.

Deklarata e Gashit vjen në një ditë të tensionuar politike, pasi deputetët e PDK-së u paraqitën në Kuvend edhe pse nuk ishte caktuar vazhdimi i seancës konstituive, ndërsa përfaqësues të pushtetit dhe opozitës shkëmbyen akuza të ndërsjella për bllokimin e institucioneve.

Kriza për konstituimin e Kuvendit vazhdon ende pa një marrëveshje politike, ndërsa thirrjet për dialog dhe kompromis mes partive parlamentare janë shtuar në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit institucional.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *