Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Baloku, ka reaguar lidhur me vendimin e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për t’u paraqitur sot në Kuvend, edhe pse nuk është caktuar vazhdimi i seancës konstituive.
Në një prononcim për GazetaBlic, Baloku tha se çdo deputet ka të drejtë të jetë në Kuvend sa herë që e konsideron të nevojshme, duke shtuar se gjatë ditës së sotme në institucion janë planifikuar edhe vizita të bashkatdhetarëve.
“Të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të shkojnë në Kuvend sa herë ata mendojnë që të shkojnë aty. Sot është ditë kur i presim bashkatdhetarët në Kuvendin e Kosovës në vizitë, prandaj me siguri shumë deputetë do të jenë të pranishëm. Se çfarë ata përpiqen të tregojnë me këtë, nëse ka diçka më tepër, mbetet të shihet”, ka deklaruar Baloku.
Duke komentuar zgjidhjen e ngërçit politik, deputeti i Vetëvendosjes ka përsëritur qëndrimin e kësaj partie se PDK-së i është ofruar posti i kryetarit të Kuvendit, si pjesë e një marrëveshjeje për konstituimin e institucioneve.
“Në parim, unë mund të përsëris atë që është thënë më herët, që si shumicë kemi ofruar pozitën e kryetarit të Kuvendit për partinë në fjalë, në mënyrë që të hapim bashkëpunimin dhe të krijojmë institucionet për çka edhe na kanë votuar qytetarët e Kosovës”, u shpreh ai.
Baloku theksoi se procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të përfundojë sa më shpejt, duke vlerësuar se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja.
“Është e domosdoshme që ky proces të përfundojë njëherë e mirë, në mënyrë që të mos e dërgojnë Kosovën në zgjedhje të dështuara që janë totalisht të panevojshme. Janë humbje kohe dhe shpenzime të tepruara”, deklaroi deputeti i VV-së.
Deklaratat e Balokut vijnë në një kohë kur kriza institucionale vazhdon, ndërsa PDK ka paralajmëruar se deputetët e saj do të jenë të pranishëm në Kuvend, pavarësisht se nuk është caktuar seancë konstituive. Paralelisht, Vetëvendosje vazhdon të insistojë se zgjidhja duhet të vijë përmes një marrëveshjeje politike, duke përsëritur se oferta për postin e kryetarit të Kuvendit ndaj PDK-së mbetet në tavolinë.


Be First to Comment