Një fluturim i kompanisë Ryanair, i operuar nga Malta Air në linjën Selanik–Memmingen (Gjermani), është shndërruar në një përvojë dramatike për pasagjerët, pasi një defekt i dyshuar në motor shkaktoi dekompresim të menjëhershëm të kabinës.
Sipas raportimeve, incidenti ndodhi vetëm shtatë minuta pas ngritjes së avionit Boeing 737-800 nga aeroporti i Selanikut.
Në mesin e pasagjerëve ishte edhe 61-vjeçari Ljubiša Karoviç, i cili po qëndronte pranë një dritareje. Dyshohet se, pas dëmtimit të një tehu të motorit të djathtë, dritarja pranë vendit të tij u thye, duke shkaktuar dekompresim të menjëhershëm dhe duke e tërhequr pjesërisht jashtë avionit.
Sipas bashkëshortes së tij, Svetlana Grkoviç, 61-vjeçari mbeti i varur jashtë avionit deri në pjesën e kraharorit për rreth dy minuta, ndërsa ajo nuk ia lëshoi këmbët për asnjë çast.
“Nëse do të vdisnim, do të vdisnim bashkë”, ka rrëfyer ajo për median serbe Nova, duke përshkruar momentet dramatike.
Me ndihmën e dy pasagjerëve të tjerë, Svetlana arriti ta tërhiqte sërish bashkëshortin brenda kabinës. Sipas saj, ai humbi ndjenjat tri herë gjatë incidentit.
Fakt vendimtar për mbijetesën e tij rezultoi rripi i sigurimit, i cili pengoi që ai të nxirrej plotësisht jashtë avionit nga forca e ajrit.
Aktualisht, Ljubiša Karoviç ndodhet i shtruar në një spital në Greqi në gjendje të rëndë. Bashkëshortja e tij tha se ai ka pësuar dëmtime serioze në njërën dorë, djegie dhe ende nuk është në gjendje të komunikojë normalisht, ndërsa kujton shumë pak nga ajo që ndodhi.
Mes emocioneve, Svetlana falënderoi pasagjerët që i dolën në ndihmë, duke veçuar një burrë që, sipas saj, ishte shqiptar.
“Ai na shpëtoi. Nuk ia di emrin, por do të doja ta takoja përsëri për ta falënderuar nga zemra”, u shpreh ajo.
Edhe pasagjerë të tjerë përshkruan skena paniku, duke treguar se maskat e oksigjenit ranë menjëherë dhe shumë prej tyre menduan se avioni do të rrëzohej.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të incidentit, në bashkëpunim me ekspertë të Boeing, Administratës Federale të Aviacionit të SHBA-së (FAA), Agjencisë Evropiane për Sigurinë e Aviacionit (EASA) dhe Bordit Kombëtar Amerikan për Sigurinë në Transport (NTSB).
Be First to Comment