Një ngjarje e pazakontë dhe ende e mbuluar me mister ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Dumnicë të Poshtme të Podujevës, ku një person ka mbetur i plagosur nga një armë zjarri derisa po qëndronte në oborrin e shtëpisë së tij.
Sipas burimeve të Sinjalit, i plagosuri është G. Hasani, i cili dyshohet se është goditur nga një predhë në këmbë. Pas marrjes së ndihmës së parë në Qendrën Emergjente në Podujevë, ai është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 23:00, ndërsa Policia e Kosovës është njoftuar rreth orës 00:20 të datës 11 gusht.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe hetuesit, të cilët kanë kryer ekzaminimet e para dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plagosjes.
Një nga dëshmitaret e rastit, A.H., 25 vjeçe, ka rrëfyer se në momentin e incidentit po qëndronte së bashku me familjarët në oborr, kur papritur dëgjoi një krismë.
Fillimisht, ajo kishte menduar se bëhej fjalë për zhurmën e një shkrepëseje ose fishekzjarri, por pak sekonda më vonë kishte vërejtur se vëllai i saj po gjakosej nga këmba.
E tronditur nga ajo që pa, ajo deklaroi para hetuesve se kishte humbur ndjenjat dhe nuk kujton çfarë kishte ndodhur më pas.
Pas raportimit të rastit, Policia ka patrulluar në zonën përreth dhe ka kontrolluar vendin e ngjarjes, por sipas informacioneve fillestare nuk është vërejtur asnjë person apo rrethanë e dyshimtë që do të ndihmonte në identifikimin e autorit.
Hetuesit po punojnë për të sqaruar disa nga pyetjet kryesore të rastit: kush ka shtënë, nga cili drejtim ka ardhur predha, nëse të shtënat kanë qenë të qëllimshme apo aksidentale dhe nëse i plagosuri ka qenë objektiv i sulmit.
Për momentin nuk ka persona të arrestuar dhe motivi i ngjarjes mbetet i panjohur.
Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimet dhe pritet që pas grumbullimit të provave dhe marrjes së dëshmive të zbardhet plotësisht dinamika e kësaj ngjarjeje të pazakontë.

Be First to Comment