Tentuan ta grabisnin, por nuk e prisnin reagimin e shqiptarit – i ndoqi me shkop dhe i detyroi të iknin me vrap
Një tentativë grabitjeje në një minimarket në Selanik ka dështuar, pasi pronari shqiptar i biznesit reagoi menjëherë dhe detyroi autorët të largoheshin pa arritur të merrnin asgjë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, rreth orës 05:15, në zonën e Vardarit, kur dy persona të rinj, me fytyrat e mbuluara dhe të veshur me kapuç, hynë në minimarket me dyshimin se synonin të kryenin një grabitje.
Sipas pamjeve të publikuara nga mediat greke, të dyshuarit u përpoqën të frikësonin pronarin për t’i marrë paratë dhe sendet me vlerë që ndodheshin në lokal.
Megjithatë, situata mori një kthesë të papritur.
Pronari shqiptar nuk u tërhoq përballë grabitësve. Ai mori një shkop dhe u përball menjëherë me ta, duke i detyruar të tërhiqeshin nga minimarketi.
Në videon që po qarkullon në rrjetet sociale, dëgjohet pronari duke u bërtitur autorëve në gjuhën shqipe, ndërsa i ndjek jashtë biznesit.
“Hajde këtu të q*fsha ropt!”, dëgjohet të thotë ai, teksa grabitësit largohen me vrap.
Të befasuar nga reagimi i pronarit, dy të rinjtë u detyruan të iknin pa arritur të grabisnin asnjë send apo shumë parash.
Sipas raportimeve nga mediat greke, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga autoritetet, të cilat po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Pamjet e ngjarjes janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe kanë tërhequr vëmendjen e mediave në Greqi, ku shumë komentues kanë vlerësuar reagimin e shpejtë të pronarit shqiptar, i cili arriti të pengojë grabitjen dhe t’i largojë autorët pa pasoja për veten apo klientët.

Be First to Comment