Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur pasditen e së dielës në fshatin Muhovc të Ferizajt, ku një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar.
Lajmi është konfirmuar për Klankosova.tv nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se aksidenti është raportuar rreth orës 16:30.
Sipas tij, menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të Stacionit Policor të Ferizajt dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, ndërsa është njoftuar edhe ekipi i Emergjencës.
Nga informacionet e para bëhet e ditur se në aksident është përfshirë një veturë me targa vendore, në të cilën udhëtonin dy persona.
“Më datën 09.08.2026, rreth orës 16:30, Policia ka pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime të rënda, i cili ka ndodhur në fshatin Muhovc të Ferizajt. Njësitë policore të stacionit policor dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Emergjenca e Ferizajt. Sipas informatave fillestare, në aksident është përfshirë një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin dy persona. Si pasojë e aksidentit, një person ka humbur jetën, ndërsa personi tjetër ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt”, deklaroi Veseli.
Personi i lënduar është transportuar me urgjencë në Emergjencën e Ferizajt, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor. Deri më tani nuk është bërë e ditur gjendja e tij shëndetësore.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, ndërsa njësitet e trafikut kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan në aksidentin fatal.
Policia ka bërë të ditur se më shumë detaje do të publikohen pas përfundimit të ekzaminimeve në vendin e ngjarjes dhe veprimeve të para hetimore.

Be First to Comment