Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë një deklaratë që ka ngjallur reagime dhe shqetësime, duke paralajmëruar se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, një veprim që, sipas tij, lidhet me interesat shtetërore të Serbisë dhe situatën e serbëve në Kosovë.
Duke folur për mediat, Vuçiq tha se Beogradi ka angazhuar ekspertë, inxhinierë dhe profesionistë të fushës së ndërtimit për të analizuar nëse një projekt i tillë mund të realizohet.
“Kur ata tashmë po i ngacmojnë kaq shumë njerëzit tanë, le të shohim. Kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së ujit të Ibrit, kështu që do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen. Ne jemi një vend sovran dhe do të sillemi në përputhje me interesat tona”, deklaroi Vuçiq.
Presidenti serb e lidhi këtë çështje me, sipas tij, pozitën e serbëve në Kosovë, duke pretenduar se Serbia po kërkon mënyra të ndryshme për t’i mbrojtur interesat e tyre.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi se Serbia nuk synon konflikt ushtarak.
“A është një mundësi për ne në këtë moment të shkojmë në luftë me NATO-n? Nuk mendoj kështu. Po bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë jetën, e cila është tmerrësisht e vështirë për popullin tonë, më të lehtë”, u shpreh Vuçiq.
Ai u bëri thirrje edhe politikanëve serbë që, sipas tij, kritikojnë qeverinë, të pyesin serbët në Kosovë se kë e konsiderojnë mbrojtës të interesave të tyre.
Në deklaratën e tij, Vuçiq foli edhe për politikën e jashtme të Serbisë, duke theksuar se vendi nuk ndjek interesat e blloqeve të ndryshme ndërkombëtare.
“Ne nuk ulemi në disa karrige, kemi vetëm tonën – karrigen serbe”, deklaroi presidenti serb.
Ai shtoi se Serbia nuk dëshiron të jetë, sipas tij, “shërbëtore e askujt”, duke theksuar se politika e Beogradit do të udhëhiqet vetëm nga interesat kombëtare të shtetit serb.
Deklaratat e Vuçiqit vijnë në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa lumi Ibër dhe Liqeni i Ujmanit konsiderohen ndër asetet më të rëndësishme strategjike dhe infrastrukturore në rajon.
Kujtojmë se vitin e kaluar, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës miratoi vendimin për mbrojtjen paraprake të zonës “Mali Mokna dhe Liqeni i Ujmanit”, duke e cilësuar atë një nga vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe burimeve ujore të Republikës së Kosovës.
Deri më tani, institucionet e Kosovës nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të presidentit serb.

Be First to Comment