etaje të reja janë bërë publike lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Orroberdë të Istogut, ku një person mbeti i plagosur me armë zjarri.
Vezir Haziraj, i cili dyshohet për përfshirje në rast dhe sipas raportimeve vazhdon të jetë në kërkim nga Policia e Kosovës, është shfaqur përmes një videoje të publikuar në TikTok.
Në videon që po qarkullon në rrjetet sociale, Haziraj flet për rastin dhe për përvojën e tij të mëparshme me sistemin e drejtësisë, duke pretenduar se është trajtuar në mënyrë të padrejtë.
Gjatë deklarimit, ai përmend edhe Gani Gecin, duke bërë krahasime mes rasteve gjyqësore dhe dënimeve që, sipas pretendimeve të tij, janë shqiptuar në rrethana të ndryshme.
“Pse me u dorëzu unë, kur Gani Gecit ia kanë bo vetëmbrojtje, aty dy vjet e gjysmë burg i ka mbajt për vrasje, a unë plagës vetëmbrojtje në shtëpi teme, mu 5 vjet mi jepni burg. Kur nuk ka drejtësi, unë e kom trunin tem, vazhdoj në atë temën time dhe nuk mundet me m’ndal kurrkush”, ka deklaruar Haziraj në videon e publikuar në TikTok.
Këto janë pretendime të Hazirajt të bëra në rrjete sociale dhe nuk përbëjnë konstatime të autoriteteve për rastin aktual.
Sipas informacioneve të deritanishme, Haziraj dyshohet se mbrëmjen e së premtes, pas një mosmarrëveshjeje verbale, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të Dardan Haxhijajt, rreth 34 vjeç.
Si pasojë, Haxhijaj ka mbetur i plagosur dhe ka marrë trajtim mjekësor.
Pas incidentit, i dyshuari raportohet se është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia e Kosovës është vënë në kërkim të tij.
Rasti është iniciuar me cilësimin fillestar “Vrasje në tentativë”, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë.
Shfaqja e të dyshuarit në TikTok, në kohën kur raportohet se është ende në kërkim, ka marrë vëmendje në rrjetet sociale. Deri në një vendim përfundimtar të organeve të drejtësisë, Haziraj konsiderohet i dyshuar dhe përgjegjësia penale mbetet për t’u përcaktuar nga institucionet kompetente.

Be First to Comment