Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të konstituohet sa më parë, duke vlerësuar se vendi nuk ka më kohë për humbje dhe se institucionet duhet të funksionalizohen pa vonesa të tjera.
Para vazhdimit të seancës konstituive, Gashi deklaroi se procesi i konstituimit duhet të përfundojë dhe më pas vendi të kalojë në fazat e tjera të përcaktuara me Kushtetutë.
“Mendoj se duhet të konstituohet Kuvendi dhe të hyjmë në faza të tjera. Ideja që për çdo sjellje politike të kemi një aktgjykim kushtetues është absurde dhe e dëmshme për shtetin”, u shpreh ai.
Sipas deputetit të LDK-së, krizat politike nuk mund të zgjidhen vazhdimisht përmes ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese, pasi përgjegjësia për funksionimin e institucioneve u takon vetë partive politike dhe deputetëve të zgjedhur.
Gashi theksoi se prioriteti duhet të jetë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe vazhdimi i procedurave të tjera kushtetuese.
“Ne na duhet të hyjmë në seancë, të zgjedhim kryetar të Kuvendit dhe të shkojmë në afate të tjera kushtetuese. Nuk ka kohë të humb Kosova, nuk duhet të humb kohë Kosova dhe çështja e kryetarit të Kuvendit është stërgjykuar nga Gjykata Kushtetuese”, deklaroi ai.
Deklaratat e Gashit vijnë në një moment të ndjeshëm politik, pasi Kuvendi po vazhdon përpjekjet për konstituimin e legjislaturës së re, një ditë pas skadimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Ditët e fundit, partitë politike kanë shkëmbyer akuza për përgjegjësinë e bllokadës institucionale. LDK ka kërkuar vazhdimisht që Kuvendi të konstituohet pa vonesa, duke theksuar se krijimi i institucioneve nuk duhet të kushtëzohet me marrëveshje politike për çështje të tjera.
Sipas Gashit, funksionalizimi i Kuvendit është hapi i parë dhe i domosdoshëm për rikthimin e normalitetit institucional dhe për vazhdimin e proceseve kushtetuese në Republikën e Kosovës.

Be First to Comment