Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) ka shënuar performancën më të mirë në historinë e tij, duke regjistruar një rezultat rekord gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Sipas njoftimit zyrtar të Trustit, në periudhën janar–qershor 2026 janë realizuar rreth 312 milionë euro kthim bruto nga investimet, duke e bërë këtë periudhën më të suksesshme që nga themelimi i fondit pensional.
FKPK thekson se bëhet fjalë për kthimin më të lartë të investimeve të arritur ndonjëherë brenda një periudhe gjashtëmujore, rezultat që i atribuohet performancës pozitive të tregjeve financiare ndërkombëtare dhe strategjisë së investimeve të ndjekur nga fondi.
Sipas të dhënave të publikuara, rezultatet pozitive nuk kufizohen vetëm në vitin 2026. Trusti bën të ditur se gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025 janë realizuar gjithashtu rreth 644 milionë euro kthim bruto nga investimet.
Në total, nga 1 janari 2023 deri më 30 qershor 2026, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka gjeneruar rreth 956 milionë euro kthim bruto, një nga rezultatet më të larta financiare në historinë e institucionit.
Nga Trusti sqarojnë se këto fitime nuk janë pagesa direkte për qytetarët, por kthime nga investimet e kursimeve pensionale, të cilat reflektohen në rritjen e vlerës së llogarive individuale të secilit kontribuues.
Sipas FKPK-së, investimet realizohen kryesisht në tregjet financiare ndërkombëtare, ndërsa fitimet e krijuara u atribuohen llogarive pensionale të kontribuuesve në përputhje me rregullat dhe politikat e fondit.
Trusti ka vlerësuar se ky rezultat konfirmon trendin pozitiv të performancës së investimeve në vitet e fundit dhe ka ritheksuar se do të vazhdojë të zbatojë politika investimi të kujdesshme dhe afatgjata, me synimin për të mbrojtur dhe rritur vlerën e kursimeve pensionale të qytetarëve të Kosovës.

Be First to Comment