Gazeta Sinjali ka raportuar se një 38-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën mbrëmjen e së enjtes si pasojë e një aksidenti të rëndë me motoçikletë në autostradë, në afërsi të fshatit Fan të Mirditës.
Është identifikuar 38-vjeçari nga Kosova që humbi jetën në aksidentin tragjik me motoçikletë në Shqipëri. Viktima është Lorik Deci, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e së enjtes pas një vetaksidenti në autostradë, në afërsi të fshatit Fan të Mirditës.
Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar edhe nga familjarët, të cilët kanë ndarë mesazhe prekëse lamtumire në rrjetet sociale.
“Lamtumirë, Lorik… Ka lajme që ta thyejnë zemrën. Ikja jote e parakohshme na tronditi të gjithëve”, thuhet në një nga reagimet e familjarëve.
Në një tjetër mesazh prekës, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij e kujtuan Lorikun si një njeri plot buzëqeshje, energji dhe humor.
“Rrugëtimet ma të mira janë ato që i bëjmë bashkë, e kishim dashtë që edhe ky i yni me Lorikun të zgjaste shumë ma gjatë. Fatkeqësisht, Loriku na la. Faleminderit Lorik për krejt dashninë, humorin dhe energjinë që e ke shpërnda kudo ku ke qenë. Për neve ke me mbet gjithmonë Liki i buzëqeshur e i afërt, që me prezencën e tij ka ditë gjithmonë me na bo me qesh e me na e bo ditën ma të mirë. U prehsh në paqe Lorik. Kemi me të kujtu çdo herë”, thuhet në mesazhin e tyre.
Sipas Policisë së Shqipërisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00, kur 38-vjeçari dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motoçikletën dhe ka dalë nga rruga në afërsi të fshatit Fan, në Mirditë.
Lorik Deci u transportua me urgjencë në Spitalin e Rrëshenit, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë menjëherë shërbimet policore dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në aksidentin fatal.
Lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Lorik Decit ka pikëlluar familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën, ndërsa në rrjetet sociale kanë vërshuar dhjetëra mesazhe ngushëllimi dhe kujtimesh në nderim të tij.


Be First to Comment