Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i ka dërguar një letër kryeministrit në detyrë dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në të cilën e falënderon për ftesën për bashkëpunim, por rithekson se PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme dhe do ta ushtrojë rolin e saj në opozitë.
Në letrën e tij, Hamza rikujton se të njëjtin qëndrim ia kishte bërë të ditur Kurtit edhe gjatë takimit të zhvilluar më 10 korrik, duke theksuar se nuk ka pasur ndryshim në pozicionin e Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas tij, vendimi për të qëndruar në opozitë lidhet me dallimet programore dhe konceptuale që PDK-ja ka me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Për shkak të dallimeve tona programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Aty do ta japim kontributin tonë për forcimin e demokracisë, mbrojtjen e interesit shtetëror dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve”, thuhet në letrën e Hamzës.
Kreu i PDK-së thekson se, pavarësisht pozicionimit në opozitë, partia e tij do të vazhdojë të veprojë në interes të shtetit dhe të qytetarëve, duke kontribuar në funksionimin demokratik të institucioneve.
Në të njëjtën letër, Hamza i ka bërë thirrje Albin Kurtit që të mos lejojë vonesa të tjera në procesin e krijimit të institucioneve dhe të ndërmarrë menjëherë hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit.
“Nga ju kërkojmë që sot, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja”, ka shkruar Hamza.
Ai nënvizon se respektimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është detyrim institucional dhe se vendi ka nevojë për funksionalizimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
Në fund të letrës, Hamza ka bërë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës do të japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke ritheksuar se, edhe nga opozita, do të mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së interesit shtetëror dhe forcimit të demokracisë në vend.
Letra e kreut të PDK-së vjen në një moment kur partitë politike po zhvillojnë përpjekje intensive për zhbllokimin e situatës politike dhe për përmbylljen e procesit të konstituimit të legjislaturës së re.
Letra e plotë, e siguruar nga Gazeta Express:


Be First to Comment