Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i ka dërguar një letër kryeministrit në detyrë dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në të cilën e falënderon për ftesën për bashkëpunim, por rithekson se PDK-ja do ta ushtrojë rolin e saj në opozitë.
Në letrën e tij, Hamza kujton se të njëjtin qëndrim ia kishte bërë të ditur Kurtit edhe gjatë takimit të zhvilluar më 10 korrik, duke theksuar se dallimet programore dhe konceptuale mes dy subjekteve politike e bëjnë të pamundur një bashkëqeverisje.
“Për shkak të dallimeve tona programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hamza.
Ai thekson se PDK-ja do të vazhdojë të kontribuojë nga opozita në forcimin e demokracisë, mbrojtjen e interesit shtetëror dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Kosovës.
Hamza i ka bërë gjithashtu thirrje Kurtit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit, duke respektuar afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.
“Nga ju kërkojmë që sot, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja”, thuhet në letrën e kreut të PDK-së.
Në fund të letrës, Hamza ka bërë të ditur se PDK-ja do ta japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e funksionalizimit të institucioneve dhe tejkalimit të bllokadës politike në vend.

Be First to Comment