Skip to content

Këta janë dy të lënduarit nga shpërthimi i dyshimtë i veturës në Gjilan

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës qytetin e Gjilanit, ku dy persona kanë mbetur të lënduar pasi një automjet u përfshi nga flakët në rrugën “Lufta e Gjilanit”. Autoritetet po hetojnë dyshimet se ngjarja mund të jetë shkaktuar nga një mjet shpërthyes i vendosur në veturë.

Gazeta Sinajli mëson se sipas informacioneve të siguruara, të lënduarit janë **Nehat Thaqi**, rreth 40 vjeç, dhe **Ana Bojçiq**, rreth 25 vjeçe.

Burimet bëjnë të ditur se rreth orës **21:45**, Policia e Kosovës është njoftuar për një veturë të përfshirë nga zjarri. Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, të cilat kanë gjetur Nehat Thaqin të bllokuar brenda automjetit, duke kërkuar ndihmë, ndërsa Ana Bojçiq ndodhej jashtë veturës me lëndime.

Zjarrfikësit kanë ndërhyrë për ta nxjerrë Thaqin nga automjeti i përfshirë nga flakët, ndërsa ekipet e emergjencës u kanë ofruar ndihmën e parë të dy të lënduarve. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, Nehat Thaqi është dërguar për trajtim në **Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)**, ndërsa Ana Bojçiq është mbajtur në spital për trajtim të mëtejshëm.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, hetuesit rajonalë, ekspertët e forenzikës dhe Prokurori kujdestar për Krime të Rënda, të cilët kanë nisur ekzaminimin e vendit ku ndodhi shpërthimi.

Për shkak të dyshimeve se automjeti mund të jetë goditur nga një mjet shpërthyes, në hetime është përfshirë edhe **Njësia për Deminim dhe Eksploziv**. Për shkak të errësirës dhe kushteve të papërshtatshme gjatë natës, autoritetet kanë vendosur që ekzaminimi i detajuar i vendit të ngjarjes të vazhdojë në orët e para të mëngjesit.

Hetuesit po punojnë për të përcaktuar llojin e mjetit shpërthyes, sasinë e lëndës eksplozive dhe mënyrën se si ajo mund të jetë vendosur në automjet. Deri në këtë fazë të hetimeve nuk është identifikuar asnjë person i dyshuar dhe motivi i mundshëm i ngjarjes mbetet ende i paqartë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si **”Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”**, ndërsa hetimet po vazhdojnë në disa pista për të zbardhur plotësisht rrethanat e shpërthimit dhe për të identifikuar personat përgjegjës.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *